Njëzet e një vjet nga nata e shpresës së madhe

Editorial i portalit Mediafokus

Njëzet e një vjet më parë, më 24 mars 1999, ishte nata që ndriçoi horizontin mbi Kosovë, për të rikthyer shpresën e fitores tek një popull i shtypur me shekuj dhe që po rrezikohej të zhdukej fare nga trojet e veta.

Këtu nis fundi i dramës së përgjakshme kosovare, që do të përmbyllet më 12 qershor 1999, kur forcat serbe pranuan dështimin përfundimtar në Kosovë.

Nga 24 marsi e deri më 12 qershor, për 78 ditë, forcat serbe kryen shumë vrasje, shkatërrime, tortura, dhunime e dëbime të popullatës, të cilat po ndodhnin pas një periudhe dhjetë vjeçare të diskriminimit në punë, shëndetësi, arsim, administratë si dhe gjyqeve e “bisedave informative” në polici, të cilat ishin bërë të përditshme.

Vetëm disa ditë para se të fillonin bombardimet e Aleancës, në Gjilan u mbajt gjyqi i 8 shqiptarëve të akuzuar për terrorizëm dhe 7 prej tyre morën dënime të rënda.

Zyrtarët e Misionit Monitorues, të cilët asokohe ndodheshin në Kosovë, po tërhiqeshin për t`i hapur rrugë bombardimeve të NATO-s

Dy-tri ditë para se të fillonin goditjet e caqeve serbe nga ajri, forcat serbe i kishin shtuar aktivitetet represive ndaj popullatës civile. Serbët po i vringëllonin armët gjithandej dhe po çirreshin “kjo është Serbi”.

Më 28 mars u krye një gjuajtje ajrore nga NATO në kazermat e ushtrisë jugosllave në Gjilan. Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri.

Në mëngjesin e një prillit, pasi Aleanca kishte kryer një sulm tjetër ndaj barakave të ushtrisë jugosllave në Gjilan, serbët kishin plaçkitur e shkatërruar dyqanet e shqiptarëve, ndërsa furrat e bukës i kishin djegur.

Në prill, kolona të gjata njerëzish u panë duke u larguar nga shtëpitë e tyre.

Harku i dhunës po zgjerohej. Paramilitarët me maska po hynin nëpër shtëpi. Rrjetat në fytyrë po i mbanin për të mos u identifikuar, meqë mjaft prej tyre ishin serbë lokalë.

Më 30 maj, policia hyri shtëpi për shtëpi në qytet, arrestoi e torturoi.

Policia kishte filluar një regjistrim të qytetarëve, të cilët gjendeshin në Gjilan dhe njerëzit filluan të frikësoheshin se po bëhej zgjedhja e atyre që duhej të likuidoheshin.

Dyshime kishte shprehur edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Evidentimin e kishte urdhëruar kryeshefi i shërbimit sekret serb.

Rrethi i qëndresës po ngushtohej. Ushqimet kishin mbaruar. Furrat e “shtetit” nuk ndanin bukë për shqiptarët. Edhe spitali i Gjilanit nuk i pranonte shqiptarët që kishin nevojë për trajtim. Të gjithë i konsideronin ”terroristë”.

Por, popullata sikur ishte “ambientuar” me këto rrethana dhe mbi gjysma e saj nuk i kishte braktisur shtëpitë e veta.

Vetëm më 12 qershor, kur në Gjilan hynë trupat ndërkombëtare paqeruajtëse dhe pas tyre edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u pa se sa i madh ishte numri i atyre që kishin jetuar në rrethin e tmerrit për 78 ditë të tëra.