Njoftim me rëndësi lidhur me tërheqjen e 130 eurove të Pakos Emergjente

Zyrtarë të Thesarit të Kosovës kanë njoftuar të mërkurën se kanë shtyrë afatin për tërheqjen e mjeteve në vlerë të 130 eurove, të paraparë në Pakon Emergjente Fiskale.

Drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se “shtyrja e afatit ka ndodhur për të shmangur çdo tollovi para zyrave postare”.

Përfitues të kësaj mase janë familjet të cilat nuk kanë të punësuar asnjë familjar, qoftë në sektorin publik apo privat dhe nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga buxheti i Kosovës.

Në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale, shumën prej 130 euro e përfitojnë mbi 27 mijë familje.

Kujtojmë se Pakoja Emergjente Fiskale është miratuar nga autoritetet e Kosovës për të ndihmuar individët dhe bizneset e dëmtuara nga pandemia e koronavirusit.