Nuhi Berisha rikujton gjyshin: Baba Rexhë, fryma jote do të jetojë përgjithmonë në fisin tonë

Para tre vitesh u nda nga jeta një burrë i madh i Anamoravës. Nipi i tij Nuhi Berisha, që ka përtërirë emrin e heroit Nuhi Berisha, e ka rikujtuar sot Babën Rexhë, siç e quan ai, duke thënë se fryma jote do të jetojë përgjithmonë në fisin tonë.

“Ajo që na bënë krenarë mbarë familjen tonë, janë fjalët, puna jote, veprat e tua dhe kujtimet që na thonë njerëzit që të njohën dhe kjo na shton obligimin që fryma jote të jetojë përgjithmonë në fisin tonë, Baba Rexhë”, ka shkruar Nuhiu.

Vërtet, Gjilani ka pasur fatin që ta kishte në mesin e vetë një qytetar si Rexhep Berisha, që ishte simbol i burrërisë, i sakrificë dhe i qëndresës.

Duke ia njohur të gjitha këto vlera, Kuvendi Komunal, e kishte nderuar atdhetarin Rexhep Berisha me titullin “Qytetar Nderi”, shkruan portali MediaFokus.info

Në një seancë solemne, më 28 nëntor 2015, titulli “Qytetar Nderi” iu nda Rexhep Berishës, me motivacion për avancimin e vlerave njerëzore, për humanizëm dhe sakrificë.

Ai ishte personalitet me virtyte të larta patriotike, një njeri që i ka bërë nder jo vetëm familjes së tij dhe Gjilanit, por gjithë Kosovës.

Rexhep Berisha ishte simbol i qëndresës dhe krenarisë në rrugëtimin e gjatë patriotik e kombëtar, me plot sfida e pengesa, vështirësi këto që baca Rexhë ka ditur t`i kthej në frymëzim për vete dhe për të tjerët.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri pat thënë me atë rast se Kuvendi i Komunës ndan sot një çmim të vogël për bacën Rexhë, njeriun që ka edukuar jo vetëm familjen e tij, por të gjithë neve përmes fjalëve e këshillave të mira, kudo që e kemi takuar.

Në rrugëtimin e tij jetësor, Rexhep Berisha i sfidonte, ose më mirë me thënë i shpërfillte pengesat në mënyrën e tij, ashtu siç i përjetonte edhe orët e mira, që i kishte të pakta e të rralla. Kjo foto ndoshta tregon një moment të tillë.

Në muzeun e dr Shevqetit në Gjilan gjenden tirqit dhe plisi i tij, të cilat ai ia kishte dhuruar personalisht në vitin 1986, shkruan portali mediafokus.info

“Unë kam pasur raporte të mira me të, gati prindërore”, thotë dr Shevqet Mehmet. /MediaFokus/