Nuk jemi vetëm…

Arsim Kastrati

Kur partneri potencial fillim e mbarim i vendosë kushte të rënda dhe madje jologjike tjetrit, do të thotë që nuk është i interesuar që të lidhë partneritet me të.

Kushti për pozitën e presidentit është pothuajse i pa plotësueshëm, ndërsa ai për kryeparlamentarin goxha i rëndë për tu plotësuar.

Pala që i ka vendosë tjetrës të tilla kushte për formimin e koalicionit qeveritar, e ka bërë këtë ose e këshilluar nga dikush tjetër ose krye më vete.

Më shumë ka gjasa të jetë i vërtetë varianti i parë.

Edhe pse shumë nuk e thonë, qëndrimet e partive politike karshi dialogut me Serbinë janë të rëndësishme edhe në procesin e formimit të koalicionit qeveritar, fundja a nuk e ‘theu këmbën’ qeveria në detyrë pikërisht për shkak të mospajtimeve rreth këtij dialogu?!

Sido që të jetë populli i Kosovës i zhgënjyer jo pak herë në politikanët e zgjedhur të tij, i lodhur e i mërzitur nga vështirësitë ekonomike dhe politike të cilave nuk u shihet fundi, kërkon zgjidhje për to, kërkon si çdo popull tjetër në këtë botë institucione të cilat do ta përmirësonin gjendjën e tij.

Kosova nuk është as Spanjë as Belgjikë e as Amerikë që ti kaloj pa pasoja vonesat e mëdha në formimin e institucioneve pas zgjedhore, ajo ka ngecje dhe probleme të theksuara në çdo aspekt.

Nuk ishim vetëm, nuk jemi vetëm, nuk mundemi vetëm!