Nuk ka datë më të rëndësishme se 15 qershori për Gjilanin

Izmi Zeka

Në raste të tilla solemne, nuk është aspak e lehtë që të zgjedhësh fjalët. Nuk është e rastësishme ajo që thuhet që shpeshherë fjala nuk e ka fuqinë e mjaftueshme për të shprehur gjithë atë që e ndjejmë edhe për çështje më të vogla, e lëre më për të ngjarje të mëdha si çlirimi i Gjilanit.

Sot, pikërisht në 21 vjetorin e çlirimit të Gjilanit dhe kam bindjen se edhe pse kanë kaluar 21 vjet, ne shpeshherë ende nuk jemi te vetëdijshëm për atë se sa shumë kemi arritur si komb e si shtet.

Por, të gjithë ne, te gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nuk guxojmë ta harrojmë të kaluarën jo shumë të largët.

Më duhet të përmend këtu fjalimin historik të Martin Luter Kingut të quajtur ‘’Unë kam një ëndërr’’…Dhe nuk e di pse por i njëjti fjalim i Martin Luter Kingut ka vlejtur edhe për ne, për popullin tonë edhe atë ka vlejtur për një kohë aq shumë të gjatë, që mund të matet me shekuj.

Edhe stërgjyshërit, edhe gjyshërit e baballarët tanë, por që na ra hise edhe neve, e kishim një ëndërr. E kjo ëndërr ishte Liria.

Dhe ne, ky brez e pati fatin e madh, që e kanë pak breza. Fatin që ta fitojmë lirinë, fatin që të bëjmë shtetin tonë, ta bëjmë Republikën e Kosovës.

S’kam se si të mos ju ftoj, që të gjithë ne, në këtë ditë të shënuar, që të kujtojmë me nderimet e respektin më të madh, përpjekjet dhe sakrificën e shumë brezave, të cilët e kane mbajtur të ndezur flakën e luftës e të atdhedashurisë, dhe të cilën flak e sollën deri te ne.

Le ti kujtojmë e nderojmë sot, vargun e gjatë të dëshmorëve, qe i njohim nga historia jonë e lavdishme, por edhe ata dëshmorë, të cilët patëm fatin ti kemi familjar, miq, bashkëpunëtor…Jemi të nderuar e të bekuar për këtë…

Le ta kujtojmë brezin e ri nën petkun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët më 15 qershor 1999,Gjilanit ia solli lirinë, ëndërr dhe amanet i brezave të tërë.

Shpeshherë dëgjojmë ankesa, pakënaqësi, shohim njerëz të revoltuar për një çështje apo për një çështje tjetër.

Dhe, shpeshherë, edhe ne bëhemi pesimistë…është e qartë, se të gjithë ne duam edhe më shumë, kemi edhe shumëçka për të bërë…

Por, gjërat e vogla, personale, kurrë nuk duhet ti ngatërrojmë me çështjen e madhe të kombit e shtetit.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë të gjithë ne se patriotizëm nuk është vetëm të festuarit rrugëve me flamuj e pankarta; nuk është euforia, këngët, vallet…

Patriotizëm është sjellja e përgjegjshëm ndaj vendit tënd, përfshirë edhe gatishmërinë për të sakrifikuar sadopak për të.

Le të kujtojmë këtu thënien e të madhit Faik Konica, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912: ‘’Shqipëria u bë.. tani lipset të bëhen shqiptarët’’…

Ashtu si i ka mbajtur të parët tanë, bashkë e të fort, lufta për lirinë, le të na mbaj bashkë neve sot, lufta për të ndërtuar e përparuar shtetin tonë, e lufta për të ecur përpara i gjithë kombi jonë.

(Autori është anëtar i KD të PDK)