Nxënësit e klasave të para dhe të dyta pritet ta fillojnë mësimin në shkolla

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Kosovës, Ramë Likaj, ka thënë se në vitin e ri shkollor, që fillon më 1 shtator, nxënësit e klasave të para dhe të dyta, procesin mësimor pritet ta fillojnë në hapësirat shkollore.

Në raportimin në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës, në lidhje më përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Likaj ka treguar se komunat do të dezinfektojnë hapësirat shkollore, njëherësh do zbatohen edhe masat parandaluese për sëmundjen COVID 19, që shkakton koronavirusi.

Edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe në takimin virtual që ka pas të martën me kryeministrinë e Kosovës, Avdullah Hoti, kryetarët e komunave të Kosovë dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, kanë kërkuar që prioritet për rikthim në objektet e shkollave, të kenë nxënësit e klasave të para, dyta, gjashta dhe të klasave të dhjeta.

“Por, kjo gjithmonë duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për situatën epidemiologjike dhe kapaciteteve të hapësirave shkollore në nivel komunal”, tha Ibrahimi. /mediafokus.info/