OBSH kërkon solidaritet për të mposhtur pandeminë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën thirrje për solidaritet mes shteteve dhe lidership global për të mposhtur pandeminë Covid-19.

Drejtori i Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një konferencë për shtyp se përçarjet i japin mundësinë virusit që të përhapet. Gjithashtu njoftoi se mungojnë 35 miliardë dollarë në fondin e OBSH për programin kundër pandemisë koronavirus.

“Edhe njëherë iu rikujtoj se kemi nevojë për solidaritet. Na duhet lidership global, veçanërisht në pjesët më të mëdha të botës. Në këtë mënyrë ne mund ta mposhtim këtë virus”, ka thënë Ghebreyesus.

Ai ftoi të gjitha vendet e globit që t’i bashkohen dhe të mbështesin iniciativën për të arritur një vaksinë që lufton Covid-19 dhe shpërndarjen e barabartë të saj. Ndërkohë, aktualisht numërohen më shumë se 28 milionë të infektuar me koronavirus në të gjithë botën dhe më shumë se 900 mijë jetë të humbura, sipas të dhënave që raportohen nga Universiteti Johns Hopkins.