OBSH rekomandon këtë ilaç për trajtimin e koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nxorri udhëzime të reja për përdorimin e ilaçeve nga pacientët e prekur me COVID-19.

Udhëzimet bazohen te rezultatet e tetë provave klinike, me 7.184 pjesëmarrës.

Studimi i publikuar të mërkurën përfshinte shkencëtarë nga Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Spanja, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Studiuesit analizuan tre steroide të ndryshme: deksametazonin, hidrokortizonin dhe metilprednizolonin, megjithëse nga ky i fundit u hoq dorë, sepse numri i pacientëve mbi të cilin u testua, ishte shumë i vogël për një rezultat të besueshëm.

Profesori i Universitetit të Bristolit, epidemiologu Jonathan Sterne thotë se ilaçet përdoren kundër pezmatimit dhe janë të përshtatshme vetëm për pacientë të sëmurë rëndë, megjithëse kortikosteroidet patën efekt pavarësisht nëse pacientët po përdornin respiratorë kur filluan trajtimin.

Britania dhe qeveri të tjera në gjithë botën, kanë miratuar përdorimin e kortikosteroideve për pacientët e sëmurë rëndë nga COVID-19.

Tani, përdorimi i tyre rekomandohet edhe nga OBSH-ja.