Pandemia shtynë procesin e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha ka deklaruar se delegacioni gjerman, i cili qëndroi për vizitë në Kosovë, lidhur me procesin e njohjes së patentë-shoferëve, është ndarë shumë i kënaqur me punën që po bëhet këtu.

Hoxha tha se po mundohen vazhdimisht për procesimin e kësaj çështje, pasi ka një numër të madh të qytetarëve kosovarë që jetojnë në botën e jashtme e që po presin njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani.

“Ne po bëjmë të pamundurën për njohjen e këtyre patentë-shoferëve nga ana e Gjermanisë. Falënderojmë edhe ambasadorët. E kemi ngritur këtë çështje në nivel të qeverisë dhe përfaqësuesi jonë ka qenë në Berlin dhe ka filluar procesi i diskutimit e bashkëpunimit në shumë fusha. Është arritur të sillet delegacioni i ekspertëve në Kosovë, jemi në fazën e fundit në aspektin teknik e më pas fillojnë procedurat e tjera. Kemi pasur shpresë shumë që në këtë qershor do të ketë njohje të patentë-shoferëve, por shkaku i pandemisë janë ndalur shumë procese në gjysmë”, tha Hoxha.

Hoxha gjithashtu deklaroi se administrata në Gjermani s’ka arritur ende të hap temën, por ka informata se ka filluar procesi tjetër i diskutimit.