Pas kërcënimit amerikan për tërheqje të trupave, Veseli reagon ashpër ndaj Kurtit

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar qeverinë aktuale, për siç ka thënë ai, debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA, raporton Gazeta Express

Veseli ka shkruar në Facebook se në këtë kohë, mbështetja e SHBA-së është jetike dhe shumë e domosdoshme për Kosovën.

Ai ka shkruar se deklarata e sotme e senatorit Republikan për rishikimin e prezencës ushtarake në Kosovë është shumë e domosdoshme.

“Në kohën kur mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është jetike dhe shumë e domosdoshme, Qeveria aktuale, si asnjë qeveri tjetër e mëparshme, ka nxitur debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA. Deklarata e senatorit Republikan, David Perdue, për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë, është më shumë se serioze”, ka thënë ai.

Veseli ka shtuar se vënia në dyshim e rolit të SHBA-së nga Qeveria në krye me Albin Kurtin është dëmi më i madh që i është bërë shtetit.

“Vënia në dyshim e rolit të SHBA-ve nga Qeveria Kurti dhe aleancës sonë të palëkundur me shtetin amerikan, është dëmi më i madh që një i zgjedhur politik i Kosovës, ka arritur t’i bëjë shtetit tonë. Vendosja e Kosovës në udhëkryq të rrezikshëm nacional, i ardhur jo nga ndonjë kërcënim i jashtëm, por nga aktet e pamenduara të vetë kryeministrit, është shenjë e keqe për vendin tonë”, tha kreu i PDK-së. /GazetaExpress/