‘Pas tri ditësh në morg, i vdekuri u ringjallë kur mjeku ia hapi barkun për obduksion’

Ringjallja e personave të vdekur, ka ndodhur edhe në jetën e këtejme. Raste ka pasur nëpër botë, po edhe në Kosovë, shkruan mediafokus.info.

Valltari e veprimtari Zija Aliu nga Remniku i Vitisë kujton një rast që ka ndodhur në vitet e `80-ta, kur një djalosh ishte shpallur i vdekur në Prishtinë, ndërsa ishte ringjallur në Shkup, në momentin kur ishte prerë për obduksion.

Zbulimin e shkakut të vdekjes e kishte kërkuar ushtria, meqë djaloshi nga Kosova ishte sëmurë derisa ndodhej në pushim, gjatë kohës së shërbimit ushtarak.

‘Kufoma’ ishte kthyer në jetë pas tri netësh qëndrimi në morg dhe pasi atij i ishte hapur varri nga familjarët.

Rastin për Mediafokus e ka rrëfyer Zija Aliu.

‘‘Në vitin 1989 më rastisi të jem në burgun e Dubravës në Istog, me një djalë që e kishte mbiemrin Sekiraça. Ai, diku gjatë viteve 1985-1986 kishte qenë ushtar.

Gjatë kohës sa ishte në pushim, e kap zorra qorre. Mjekët në Prishtinë e bëjnë operacion, por ai, sipas tyre, vdes.

Derisa familja e kishte përgatitur varrin dhe kishte shkuar për ta marrë kufomën, ushtria kishte kërkuar që paraprakisht atij t’i bëhet autopsia në Spitalin Ushtarak në Shkup.

Kufoma tri net kishte qëndruar në morg. Kur mjeku i mëshon brisk për obduksion, ai i hap sytë dhe zgjohet prej komës.

Ma vonë qe marrë vesh se mjeku, gjatë mbylljes së operacionit e kishte harruar një fashë brenda plagës.

Mbaj mend se mjeku qe dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, edhe pse i ‘vdekuri’ ia kishte falë gabimin.

Unë e kam pa me sytë e mi këtë person, i prerë për së gjati, prej gjoksit e deri në fund të barkut’’, përfundon rrëfimi i Aliut, por ai nuk di më tutje për fatin e të ‘vdekurit të ringjallur./mediafokus.info