Pastrimi i Kosovës kërkon shumë kohë

Shkruan: Nijazi Idrizi

Ngjarjet që u zhvilluan muajve të fundit, dëshmuan fuqishëm se Kosova ka nevojë për reformator të përgatitur për zbatimin e reformave të thella, të cilat (siç u pa), bien ndesh me interesa të mëdha, të cilat mundë ta përmbysin çdo përpjekje joserioze që merr përsipër aplikimin e tyre.

Po ashtu të gjitha sondazhet që po bëhen nëpër Kosovë, po tregojnë se disponimi i popullit për ta bërë ndryshimin e kësaj gjendje është jashtëzakonisht i madh.

Duket ashiqare se kemi të bëjmë me interesa të kundërta, të cilat do të konfrontohen. Rezultati do të jetë, me fitues dhe me humbës! Kompromis nuk bënë të ketë, sepse ai prodhon pasoja afatgjata për vendin, së paku edhe për një dekadë.

Për dy dekada, populli i Kosovës ka dhënë votë falënderuese,disa figurave të respektuara (tash oligark),me kontribut për lirin e vendit.

Ata, pas kompensimit që e morën (duke e plaçkitur Kosovën),më në fund e humbën besimin e votuesve, të cilët u bindën se të tillët nuk mund të reformohen kurrë dhe ti shërbejnë Atdheut.

Besimi në ta ka rënë kaq poshtë sa ata nuk mund të propozojnë më asnjë reformë, pa shkaktuar të qeshura.

Edhe pse fushatat kanë qenë të mbushura me premtime, zgjedhjet deri tash nuk kanë prodhuar reforma të vërteta as politike, as ekonomike e as sociale.

Për pasojë nuk ka dal asnjë qeveri që ka hartuar dhe i ka propozuar Kuvendit miratimin e ndonjë dokumenti: për reformën zgjedhore; për konsolidimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me ligj; për një Plan Strategjik të Zhvillimit; për integrime Euroatlantike, rajonale e globale; për largimin e Serbisë nga veriu i Kosovës; për mbijetesën dhe forcimin e Luginës patriotike të Preshevës; për ndërtimin e raporteve të shëndosha me fqinjë në interes të paqes dhe zhvillimit të përbashkët; për skemat funksionale të sigurimeve shëndetësore; për “liberalizimin” e skemave pensionale;për shndërrimin në ndonjë projekt kombëtar të parave“të ngrira” të privatizimit etj.

Është dëshmuar tashmë se perspektiva për reforma të mëdha rritet kur në pushtet vijnë udhëheqësit e rinj. Kjo ndodh sidomos pas krizave të mëdha politike, ekonomike dhe të drejtësisë. Në vendin tonë, fitorja e të rinjve dhe starti i fuqishëm i qeverisë Kurti,në pak muaj u dëshmuan si reformatore. Ajo arriti t’i jap disa mesazhe të papara deri sot:

– Heqja nga pazari shumëvjeçar,i pozitës së Kryeministrit të qeverisë, i cili duhet t’i takoj programit fitues të zgjedhjeve;
– Reformimi i Qeverisë së Kosovës, duke i zvogëluar shumë hallka të shtuara për ndarjen e kulaçit;
– Forcimi i kontrollit të shpenzimeve të qeverisë, duke filluar nga projektet që mbushnin thasët e kleptokratëve,e deri te rishikimi i skemave të shtrenjta populiste, që po bëhet nën sintagmën ”gjakderdhja financiare” dhe kursimi i buxhetit me shembullin personal të uljes së pagave;
– Luftimi i vendosur i krimit e korrupsionit, përmes auditimit permanent të institucioneve dhe përcjellja e lëndëve të dyshuara në gjykatë;
– Pastrimi i personelit të ambasadave tona dhe institucioneve tjera nga partizimi dhe nepotizmi;
– Zëvendësimi i drejtuesve të korruptuar e të paaftë të kompanive publike dhe detyrimi i tyre që ti ulin pagat, sipas tregut;
– Mbështetja e Luginës së Preshevës etj.

Të gjitha këto veprime u mirëpritën nga qytetarët shpresëhumbur. Përqendrimi i vëmendjes te projektet e reja, te ato që mbahen mend gjatë, nga të cilat gjenerohen vende të reja pune dhe nxitet zhvillimi ekonomik, nuk u lejua.

Ky mandat qeverisës nxori në shesh një fakt të njohur nga pak njerëz: Marrëveshjen e fshehtë ndërmjet politikës, bizneseve dhe mediave! Kjo lidhje doli se ishte e kontrolluar nga oligarkët.

Madje disa nga ato, u pa se kanë lindur nga njëra-tjetra. Për herë të parë, këtë vit doli, në skenë urrejtja e disa mediave ndaj partive të caktuara politike, e sidomos ndaj liderëve të tyre.

U pa një fushatë e egër ndaj qeverisë Kurti dhe stafit të tij simpatik, e cila “u ndërpre”, vetëm pas rrëzimit të saj dhe sigurisht vazhdimi i saj do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mandatarin e ri.

Animi i mediave në demokracitë e reja është një lloj krimi dhe dënohet me ligj, për shkak se mund të nxisë konflikt me pasoja të paparashikuara.

Për sa i takon qeverisë Kurti, duhet të pranohet se pos sukseseve premtuese, për një qeverisje të mirë, atë e përcollën edhe pak dobësi të cilat ia vlen të përmenden.

Me fitoren, vërtet madhështore të 6 tetorit, Vetëvendosjen e kapi dëliri i madhështisë. Ajo (pa nevojë), e barti euforinë e kësaj fitoreje nga fushata dhe e futi në institucione.

Njerëzit energjik të saj, u sulën që të gjitha premtimet e fushatës ti zbatonin sa më shpejt. E kjo për opozitën dhe partnerin e saj të koalicionit, do të thoshte: shkapërderdhje e krejt sistemit kriminal e të korruptuar, komprometim rrënues dhe humbje e pushtetit për së paku dy mandate.

Kjo e trembi sidomos partnerin e pasigurt të koalicionit, i cili po kërkonte shkas që ta ndërpres trendin pozitiv të qeverisjes së mirë.

Edhe mungesa e përvojës në qeverisje dhe këshilldhënia e dobët në diplomaci,(sidomos në zbulimin dhe evitimin e kurtheve të rëndomta), i krijuan stres vendimmarrjes,madje edhe në aktivitetet rutinë.

Përhapja e pandemisë së covid 19 në vend, bashkë me lëvizjet e paparashikuara të Presidentit dhe partnerit të koalicionit (tashmë të koordinuar me Presidentin Thaçi) dhe deklaratat jo diplomatike të emisarit të egërsuar të SHBA-ve (pas goditjes që morri në Beograd), Richard Grenel, shkaktuan pasiguri te Kryeministri Kurti, i cili për herë të parë, nuk po arrinte ta lexoj të ardhmen.

Qeveria e re, ia lejoi vetes të provokohej nga opozita shumë e dobët, nga partneri i shantazhuar, nga Presidenti i hakërryer dhe nga mediat e koordinuara me analistë e politolog të paguar mirë. Kryeministri, filloi të provokohej lehtë dhe bënte reagime skandaloze të cilat ishin “të rënda” për tu riparuar.

Për më keq, ai (për shkak të mungesës së informacionit), u tregua i ngurtë në politikat e jashtme dhe nuk ishte në gjendje ti ekuilibroj parimet opozitare me pragmatizmin e burrështetasit.

Reagimin e ngathët për heqjen e taksës (që ishte jetik për përmbushjen e misionit qeverisës të tij), nuk mund ta kompensonte me shkarkimin e një ministri, në emër të parimeve. Dhe papritmas, në skenë dolën dy Albin: njëri energjik, që merr vendime për pastrim të shtetit dhe tjetri nevrik që humb kohë duke i larguar mbeturinat që ia hidhnin në rrugë.

Akuzat e shpifura për antiamerikanizëm dhe vendimi qesharak i Gjykatës Kushtetuese, u bënë referenca për votimin e mocionit të mosbesimit të qeverisë Kurti e cila u rrëzua. Por besimi tek qytetarët veç sa e rrit! Tashmë është e çartë se pushtet pa Vetëvendosjen në Kosovë nuk do të ketë. Ky disponim duket kudo.

Opozita me ngritjen e dorës pro mocionit të mosbesimit të qeverisë Kurti, ia la në dorë asaj edhe fitoren e radhës, e cila do të arrihet shumë shpejt, sapo të bie intensiteti i pandemisë covid 19, me apo pa qeverinë Hoti.

Puçi në kohë të pandemisë,e thelloi paqëndrueshmërinë politike në vend dhe i nxori dy prioritete për demokracinë kosovare: nevojën e rikooperimit të Vetëvendosjes për tu ricikluar me fuqi të rritura në pushtet dhe daljen në skenë të një organizimi të ri politik, i cili do ta zë hapësirën e mbetur bosh, në mes të asaj që nuk mund ta arrij kurrë Vetëvendosja dhe asaj që do ta lë përgjithmonë PLAN-i.

Në demokraci, çdo parti përjeton periudha të rënies dhe ngritjes. Ato për fatin e mirë të popullit, nuk mund të jenë të përjetshme! Megjithatë, qeveria Kurti zbuloi një realitet të hidhur: Se pastrimi i Kosovës kërkon shumë kohë!