Patrullimet ndër vite në mes të KFOR-it dhe forcave serbe

Më 7 gusht, nuk ishte hera e parë që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, kreu një patrullim të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një praktikë, që ky mision ka kryer ndër vite.

Mediat në Kosovë atë ditë raportuan se forcat serbe u panë në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Lajmi se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës, në këtë “patrullim të sinkronizuar” me KFOR-in, nxitën shqetësime në Prishtinën zyrtare.

Lidhur me atë që ka ndodhur në Karaçevë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.

Sidoqoftë, KFOR-i sqaroi se në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, “përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc”.

Sipas njoftimit të KFOR-it, vija kufitare – që është e gjatë 350 kilometra – nuk është krejtësisht e shenjëzuar dhe e përcaktuar mirë dhe se patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe lëvizin “përgjatë Vijës kufitare administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni”.

Megjithatë, KFOR-i tha se në patrullimet që zhvillon me forcat serbe, asnjëherë këto të fundit nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it.

Ky mision theksoi se patrullime të ngjashme ka kryer edhe në të kaluarën.

Ndërkohë, lidhur me këtë në një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi është njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, i cili deklaroi se hyrja e forcave të xhandarmërisë̈ serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Veliu, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se me KFOR-in janë dakorduar që të rinisin patrullimet edhe me Policinë e Kosovës.

Sidoqoftë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të dielën deklaroi se ngjarja e 7 gushtit nuk mund të quhet patrullim i sinkronizuar, por “patrullim i përbashkët” ndërmjet KFOR-it dhe Serbisë, pasi sipas saj, një patrullim i sinkronizuar nuk nënkupton që forca të shteteve të tjera, të futen në territorin e Kosovës. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

“Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300 metra brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka shkruar Haradinaj- Stublla në Facebook.

Patrullimet e sinkronizuara, që nga viti 2008

Përveç më 7 gusht, KFOR-i ka kryer edhe në të kaluarën patrullime të sinkronizuara me forcat serbe. Në qershor të vitit 2018, ishin kryer patrullimet e sinkronizuara ndërmjet ushtarëve të KFOR-it dhe atyre serbë. Ky aktivitet ishte zhvilluar në zonën veriore të Komunës së Istogut që gjendet në kufi me Serbinë, dhe siç kishte njoftuar Ushtria sllovene – që kishte marrë pjesë në këtë aktivitet – gjatë këtij patrullimi “nuk u identifikua asnjë aktivitet i dyshimtë”.

Më 27 qershor të 2017-ës dhe më 31 gusht të po këtij viti, ishin kryer patrullime të sinkronizuara. Për këto dyja patrullime, KFOR-i ka thënë se janë bërë me qëllim të “të rritjes së bashkëpunimit në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes teknike ushtarake”.

Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2016, forcat e KFOR-it po ashtu kishin kryer patrullime të sinkronizuara me forcat serbe, në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Komunën e Leposaviçit.

Më 5 maj, 2010, në ueb-faqen e NATO-s u tha se në pjesën veriore të Kosovës, pranë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, forcave daneze të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe, mbajtën patrullime të sinkronizuara nga shkurti i atij viti deri në muajin mars.

“Këto patrullime janë pjesë e programit të Komisionit të përbashkët për implementim dhe kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhej në njoftimin e NATO-s të publikuar në maj të vitit 2010.

Ndërkaq, në një raport të Kombeve të Bashkuara të vitit 2008, njoftohej po ashtu për patrullim të sinkronizuar mes KFOR-it dhe Forcave serbe.

Patrullimi thuhej se ishte kryer më 19 qershor, 2008 – vetëm pak muaj pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë.

“Patrullimet e sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe u kryen sipas planit”, thuhej në një raport të OKB-së, ku theksohej se ky patrullim ishte kryer në Rudare të Serbisë më 19 qershor, 2008.

Më 22 korrik, 2020, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Michele Risi, kishte marrë pjesë në video-konferencën e tetë të “Javës së NATO-s në Beograd”, ku kishte theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Komandës së KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe “është kyç” për partneritetin midis dy forcave.

Risi kishte thënë se patrullimet e sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të armatosura serbe në vijën kufitare kontribuojnë në mbajtjen e paqes dhe atmosferës pozitive, që sipas tij, janë të rëndësishme për popullatën që jeton në atë zonë.

Në Kosovë, forcat e KFOR-it filluan të vendosen më 12 qershor të vitit 1999. Fillimisht, ishin rreth 50,000 mijë ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet që janë pjesë e aleancës së NATO-s,
Aktualisht, në Kosovë janë rreth 3,500 trupa të KFOR-it./rel/