PDK çuditet me kolegët deputetë: S’patën guximin të jenë brenda sallës për votim

Deputeti i PDK’së, Gazmend Bytyci, ka shprehur habinë me kolegët e tij të LDK’së dhe LVV’së, të cilët, sipas tij, nuk patën guximin të jenë brenda sallës për votim të projektligjit për mbrojtjen e vlerave të UCK’së, transmeton Mediafokus.info.

“Është e çuditshme se si kolegët tanë nuk patën guximin të jenë brenda sallës për votim, një pjesë qëndruan jashtë e një pjesë brenda, por nuk votuan. I kuptojmë disa prej shqetësimeve të kolegëve, por ne i kemi siguruar që në leximin e dytë t’i bëjmë amandamentimet e nevojshme. E rëndësishme është që me këtë ligj ta institucionalizojmë luftën çlirimtare, si një vlerë sublime”, tha Bytyçi në konferencën e PDK-së, të thirrur menjëherë pasi nuk u votua projektligji në Kuvend.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është sponsorizuese e projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Mediafokus.info/