PDK: Qytetari e humbi jetën vetëm pse nuk kishte librezë partie

Pas vdekjes tragjike të 26-vjecarit nga Gjilani, ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës, raporton Mediafokus.info.

Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi në një postim në Facebook, ka shkruar se vdekja e një qytetari të këtij vendi, në kohë pandemie është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve.

Ai ka shkruar se 26 vjeçari  e humbi jetën vetëm pse nuk kishte librezë partie për të shmangur karantinimin, edhe pse kishte dokumentin për gjendjen e rënduar shëndetësore.

Postimi i plotë i Bytyçit:

Albin Kurti në reagimin e fundit e paska gjetur fajtorin për dështimin e tij politik në kohë pandemie, edhe për shkeljen e Kushtetutës dhe çdo dështim tjetër.

Na qenka opozita, e cila sipas tij e paska penguar punën e Kuvendit dhe rrjedhimisht punën e Qeverisë në detyrë dhe të Ministrit të Shëndetësisë.

Një tentim i neveritshëm i një politikani që tanimë është mësuar të sakrifikoj jetë njerëzish për interesat e tij meskine për të ardhur në pushtet por edhe për ta mbajtur pushtetin.

Sikur t’i kishte marrë parasysh rekomandimet e Partisë Demokratike të Kosovës për shtimin e testeve, ngritjen e kapaciteteve të karantinimit si dhe menaxhimin e situatës në tërësi, sot Agoni, ndoshta do të ishte në mesin e familjarëve të tij.

Vdekja e një qytetari të këtij vendi, në kohë pandemie është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve. Qytetari e humbi jetën vetëm pse nuk kishte librezë partie për të shmangur karantinimin, edhe pse kishte dokumentin për gjendjen e rënduar shëndetësore.

Hetimi i menjëhershëm dhe i paanshëm është i domosdoshëm që të vihet drejtësi për Agonin dhe familjen e tij!

/mediafokus.info/