Përfaqësimi në parlament pamundëson që dikush tjetër të flasë në emrin tonë

Ardita Sinani

Procesi zgjedhor i para disa ditëve dhe pjesëmarrja jonë, si e drejtë legjitime për të zgjedhur përfaqësuesit tanë në parlamentin republikan, ishte kërkesë eksplicite e Shtetit Shqiptar!

Bashkimi i spektrit politik rreth marrëveshjes së Tiranës për të paraqitur të bashkuar problemet tona edhe pse të njohur për shtetin ku jetojmë është një mekanizëm shtesë në luftën tonë të drejtë politike dhe proaktive!

Problemet e grumbulluara, vështirësitë, mos përfillja e vazhdueshme e kërkesave tona legjitime për një jetë të dinjtetshme duke hasur në vesh të shurdhër të shtetit, bën që qytetarët e Luginës së Preshevës me të drejtë të humbin besimin, duke pas ndjesinë e popullatës më të diskriminuar në Evropë!

Jemi të vetëdijshëm se lufta jonë e vazhdueshme politike në parlamentin republikan nuk e ka përmirësuar gjendjen tonë të vështirë, por mendoj se sensibilizimi i vazhdueshëm i faktorit ndërkombëtar dhe paraqitja e problemeve përmes përfaqësuesve tanë legjitim, e pamundëson që në emrin tonë të flas dikush tjetër!

Angazhimi personal i ministrit Cakaj, kërkesat e vazhdueshme të Presidentit, Qeverisë së R. së Shqipërisë dhe R. së Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje nuk na lanë komoditetin e mos përfilljes së dy shteteve tona amë!

Për këtë arsyeje, edhe pse disa nga subjektet politike nuk ishin në nivelin e obligimeve konform marrëveshjes së Tiranës, unë dua të falënderoj çdo qytetar, secilin anëtar dhe aktivist të PVD-së dhe të tjerë, që ishin pjesë e këtij procesi!

Të dashur qytetar, unë e kuptoj edhe revoltën e atyre që ishin kundër këtij procesi, si e drejtë legjitime në politikë, por përfaqësimi jonë në parlamentin republikan edhe përkundër mos përfilljes, mos gatishmërisë dhe diskriminimit të vazhdueshëm shtetëror nuk nënkupton heqje dorë nga kërkesa jonë e drejtë, transparente dhe legjitime për #Bashkim më R. e Kosovës, sepse ne mendojmë se kjo është zgjidhje e vetme, e drejtë, e përhershme dhe përfundimtare e problemeve mes R. së Kosovës dhe Serbisë!