Përse u pezulluan shërbimet për vula apostile në Mitrovicë?

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se janë pezulluar përkohësisht shërbimet për vula apostile në Mitrovicë për shkak të dyshimit të infektimit me COVID-19 të njërit prej zyrtarëve të kësaj zyre.

Përmes një komunikate për medie, MPB-ja ka thënë se përkohësisht janë ndaluar këto shërbime teksa thuhet se qytetarët do të informohen me kohë për rifillim të punës.

“Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil njofton qytetarët e komunës së Mitrovicës se janë pezulluar përkohësisht shërbimet për vula apostile/verifikuese në këtë komunë. Arsyeja e këtij pezullimi është për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe dyshimit të infektimit me COVID-19 të njërit prej zyrtarëve të ARC-së në Mitrovicë, punonjës në sektorin për vula apostile. Qytetarët e komunës së Mitrovicës do të informohen me kohë se kur do të rifilloj puna me këtë shërbim”, thuhet në komunikatë.