Përshtypjet dhe sfidat e mësimit online

Betim Sherifi

Me datë 18 mars në ora 15.40 në telefon më erdhi ky mesazh:  “Përshëndetje të nderuar/a, uroj të jeni mirë! I/e nderuar, ashtu siç jeni informuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me mbështetje të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, janë duke e zhvilluar projektin për mësim në distancë (online), ku dje ka filluar si test me nivelin e arsimit (I-V), ndërsa sot ka pasur avancim në këtë proces.

Andaj për të implementuar dhe mbështetur këtë projekt jeni përzgjedhur ju, për nivelin e arsimit (VI-IX), mbase konsiderohet që mundeni të kontribuoni shumë në këtë proces. Nesër, më datë 19.03.2020, në ora 12.30, jeni të ftuar në takim në SHFMU “QAMIL BATALLI”.

Pas leximit dy herë radhazi të këtij mesazhi, ngrita kokën dhe shikoja familjen e sidomos babin e nënën. Babi filloi me pyetje se çka ke diçka, mos ke me thënë diçka se po zihesh? Unë iu përgjigja se kam marrë ftesë për të shkuar në Prishtinë për të marrë pjesë në realizimin e mësimit online dhe nga fytyra e tij dhe anëtarëve të tjerë vetëm sa nuk më thoshte se paske me u infektua apo paske me na e sjellë virusin në shtëpi.

Por derisa në kokë më sillej mendimi se do të mund të infektohem, filloi shqetësimi se si t’ia bëj me çështjen e udhëtimit, pasi transporti ndërurban ishte ndërprerë dhe nga Gjilani në Prishtinë ishte problem të gjeje një formë të transportit. Por pas kësaj shqetësimet filluan të rriten:  si do të paraqitem para kamerës, në çfarë mënyre do t’i përgatis njësitë mësimore, si do ta mirëpresin nxënësit, prindërit e kolegët mësimdhënës?

Duke u nisur nga fakti që shoqëria jonë është e lindur të gjykojë edhe lëshimin më të vogël dhe se asnjëherë të mos marrë për bazë rrethanat e tjera, shqetësimet e presioni vazhdonte të rritej gjithnjë. Pas disa orësh në telefon më mori kolegu dhe miku im prof. Ardit Ajvazi dhe më pyeti se çka do të bëjmë.

Përgjigjja ime ishte se çka do që të vendosnim, vetëm të refuzonim nuk duhej në asnjë mënyrë sepse është koha për të dhënë kontributin e sakrificën tonë, ashtu siç po sakrifikonin mjekët, punëtorët e marketeve, punëtorët e furrave, policët e secili që është duke dhënë kontribut në këtë periudhë e cila mund të konsiderohet si më e vështira pas luftës së vitit 1998/99. Me 19 mars u nisem nga Gjilani për në Prishtinë, me maskën në fytyrë, dorëzat dhe dezinfektuesin me të cilin kohë pas kohe i dezinfektonim duart.

Para orës 12.00h  arritëm në shkollën fillore “Qamil Batalli”, ku  ishin edhe kolegët e lëndëve tjera si dhe stafi tjetër dhe secili kishte vënë maskë dhe dorëza. Asnjëri nuk përshëndetej me tjetrin dhe secili frikësohej nga tjetri se mos ishte i infektuar dhe kështu distanca në mes njëri-tjetrit kalonte edhe në dy metra.

Pasi na grumbulluan në oborrin e shkollës, me praninë e ministres së arsimit znj. Hykmete Bajrami, zv.ministrave prof. Xhavit Rexhaj e Jusuf Thaqi, na njoftuan për procedurat se si do të shkojë procesi i përgatitjes dhe i xhirimeve të njësive mësimore. Pas marrjes së informacioneve na treguan për orarin e se kur duhet të vijmë  t’i xhirojmë njësitë e para mësimore.

Pas  marrjes së udhëzimeve u nisëm për në shtëpi, ku posa hyra i ndërrova rrobat dhe i lava duart me ujë të nxehtë e me dezinfektues duke i respektuar në maksimum udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë. Më pas fillova  t’i përgatis njësitë mësimore të planifikuara për t’u xhiruar.

Xhirimet e para filluan me datë 27 mars 2020, kur xhirova dy njësi mësimore dhe ishte hera e parë që më vihej mikrofoni dhe i drejtohesha kamerës, e në mendje kisha se të gjithë nxënësit e vendit, prindërit e kolegët mësimdhënës po më ndiqnin edhe pse nuk ishim në transmetim të drejtpërdrejtë.

Në ditët në vazhdim na u kërkua që t’i përgatisnim nga 5 njësi  e më tepër dhe kjo ishte një sfidë e vështirë dhe mundim jashtëzakonisht i madh. Kemi pasur raste edhe kur brenda javës kemi përgatitur  dhe xhiruar 12 njësi mësimore ( 6 ditën e martë dhe 6 ditën e premte), por vullneti i madh për të kontribuar në këtë kohë. e tejkalonte stresin dhe lodhjen e mundimshme.

Vlen të thuhet se kemi pasur raste kur na është dashur të presim nga ora 13.30 deri në ora 16.30 për të filluar xhirimet për shkak të problemeve teknike që  paraqiteshin, por gjithmonë ishim të gatshëm për të kryer përgjegjësinë që kishim para nxënësve dhe shoqërisë në mënyrën më të mirë.

Përveç stresit, lodhjes, gjithsesi kishim  edhe momente  të mira e do ta veçoja  rastin kur u publikua videoja e parë e xhiruar në mbrëmjen e 7 prillit. Së pari, e pashë vetëm videon në dhomën tjetër, dy herë radhazi e pastaj ia tregova familjes për të marrë vlerësimin e parë rreth paraqitjes sime. Gjithsesi si çdo prind kur e sheh fëmijën e tij duke dhënë kontribut në një situatë të caktuar edhe prindërit e mi, babai dhe nëna u emocionuan sa iu mbushën sytë me lot nga ndjenja që kishin e ku nuk munguan përgëzimet.

Ka shumë momente të tjera që është problem  t’i përmbledhësh përgjatë këtij procesi përmes kësaj letre, por nga ato që më erdhën në mendje u mundova që t’i paraqes në mënyrë që të mbeten një kujtim i përhershëm i biografisë sime.

Falënderim për familjen time që më ka kuptuar dhe përkrahur, e veçanërisht vëllain Blerimin i cili më ka vozitur në çdo xhirim të njësive, falënderim kolegëve mësimdhënës të gjeografisë duke veçuar Fatlind Hoxhën, Astrit Kadriun, Laureta Luzhën, Liridon Hajzerin, Ardit Ajvazin, Kushtrim Dacajn të cilët në vazhdimësi më kanë ndihmuar duke më përcjellë sugjerime, këshilla dhe kritika  konstruktive, në mënyrë që njësitë mësimore të përgatiteshin në formën më të mirë të mundshme.

Falënderim  drejtorit të shkollës z. Betim Sylejmani që më ka mirëkuptuar gjatë këtij procesi, falënderim trajnerit të fushës “ Shoqëria dhe mjedisi” z. Skender Halimi, falënderim e mirënjohje e përjetshme auditorit  prof. Fitim Humolli për vlerësimin e tij dhe këshillat, sugjerimet në përgatitjen dhe prezantimin e njësive mësimore.

Po ashtu  nuk mund të harroj as organet kompetente  si ministren e arsimit znj. Hykmete Bajrami, zv.ministrat prof Xhavit Rexhaj dhe Jusuf Thaqi, drejtoreshën e arsimit në Komunën e Prishtinës znj. Shpresa Shala, zyrtarin e DKA-së Fatos Osmanin  të cilët në çdo kontakt që kishim na jepnin motiv dhe përkrahje për të vazhduar më tutje pa marrë parasysh pengesat që mund të paraqiteshin.

Krejt në fund nuk mund të harroj  Zyla Osmanin e cila me pozitivitetin e saj, mirëkuptimin dhe sjelljen e bëjnë atë një punëtore të veçantë që në këtë proces ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm.

Kërkim falje: U kërkoj falje të gjithë nxënësve për lëshimet eventuale gjatë prezantimit të njësive mësimore dhe kërkime falje nëse i kemi ngarkuar me detyrat e shtëpisë.

Kërkim falje: kolegeve të tjerë mësimdhënës e shoqërisë nëse nuk kemi qenë në nivelin më të mirë të mundur.

Uroj që kjo epidemi të marrë fund dhe asnjëherë të mos përsëritet më dhe sa më shpejt të takohem me nxënësit e mi dhe kolegët e shkollës.