Pezullohet testimi i vaksinës së Oksfordit, shkak reagimi i dyshimtë te një vullnetar

Kompania farmaceutike AstraZeneca, e cila është duke bashkëpunuar me Universitetin e Oksfordit, pezulloi testimet e vaksinës anti-Covid për shkak të një reagimi të dyshimtë që ajo bëri tek një vullnetar në Britani.

Kompania nënvizon se pezullimi është një veprim rutinë që ndërmerret gjatë testeve në rast të një reagimi të pashpjegueshëm. Dhe sipas AstraZeneca, kjo bëhet për të siguruar integritetin e procesit të testimit.

Por, ekspertët shpjegojnë se edhe pse pezullimet e testimeve janë të zakonshme, kjo situatë e krijuar me vaksinën e AstraZeneca mund të sjellë frikë dhe hezitim te njerëzit për ta përdorur atë.

Të dhënat paraprake janë shumë premtuese me vaksinën që ishte në gjendje të prodhonte një sasi të konsiderueshme antitrupash dhe vetëm dëme të vogla anësore.