Plaku Riza Syla: Për herë të parë nuk po mund ta falë Kurban Bajramin

Myslimanët anembanë botës sot kremtojnë njërën nga festat kryesore të islamit, atë të Kurban Bajrami. Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe rrezikut të përhapjes, falja e namazit të kësaj feste nuk u lejua të bëhet nëpër xhamitë e Kosovës.

Derisa ora shënonte 06:03 minuta, kur edhe ishte koha për faljen e namazit të Kurban Bajramit, përveç ezanit, në xhamitë e kryeqytetit nuk pati besimtarë për ritualet fetare, raporton express.

Për 50 vite çdo namaz të Kurban Bajramit e ka falur në xhaminë “Sulltan Mehmeti” në Prishtinë, por dita e sotme të moshuarin Riza Syla e gjeti para dyerve të kësaj xhamie.

Kishte ardhur për t’u falur por ai nuk u lejua ta kryejë këtë obligim, e këtë lajm ia kumtuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët kishin dalë për t’u kujdesur për zbatimin e masës për mosfalje të Kurban Bajramit.

Syla nuk pajtohet me vendimin e qeverisë për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit nëpër xhami.

“Kam ardhur, por nuk qenka askush. Këtë vendim nuk po e shoh të mirë, shkurt edhe shqip ku e gjetën ditën e Bajramit me i vendosë këto masa me i mbyll xhamitë, nga erdhi kjo…Me çka po e shërojnë këtë virus? Me paracetamolë. Çfarë virusi është ky? Virus dhe grip i përgjithshëm… Në këtë xhami qe 50 vite falna”, thotë ai.

E pa xhemat falja e Kurban Bajramit u bë edhe në xhaminë në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Interesimi për t’u falur në xhami nuk kishte munguar, por ishin anëtarët e Këshillit të kësaj xhamie që iu kishin treguar besimtarëve se kjo nuk ishte e lejuar.

Idriz Pllana, njëri nga anëtarët e Këshillit në xhaminë në “Dardani” e mirëpret vendimin për ndalimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit në xhami, kjo pasi sipas tij gjendja me COVID-19 në vend po rëndohet nga grumbullimet e shumta.

Ai pohoi se disa qytetarë shprehën interesimin për ta falur namazin, por që nuk mundën të hynin brenda pasi dera ishte e mbyllur.

“As në këtë xhami por edhe në asnjë xhami nuk është falur Kurban Bajrami…E falënderojmë myftiun e Kosovës i cili ka dhënë urdhër për mos t’u falur, se vetëm dje kanë qenë 16 të vdekur, kjo është një humbje shumë e madhe e popullit tonë. Për arsye pse është ndal Bajrami e dinë ata më mirë, meqenëse është preventive për mos m’u fal se po tubohen shumë njerëzit. Ka pasur (interesim për faljen e namazit) por nuk kanë hyrë brenda asnjë sepse ka qenë dera e mbyllur, vetëm tre vetë të Këshillit të xhamisë në ‘Dardani’ e kemi falur bashkë me imamin”, tha Pllana.

Si pasojë e rritjes së madhe të numrit të personave të vdekur nga COVID-19 si dhe të infektuar nga kjo pandemi gjatë ditëve të fundit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka pezulluar faljen e namazit të Bajramit si dhe të gjitha ritet fetare për 10 ditët e ardhshme në të gjitha xhamitë e vendit.

Po ashtu, përfaqësues të institucioneve shtetërore e fetare, kanë bërë thirrje që si rezultat i situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, kjo festë të kalojë pa vizita familjare e tradicionale.

Kujtojmë që për shkak të përhapjes së koronavirusit edhe festa e Fiter Bajramit nuk ishte lejuar të falet në xhamitë e Kosovës.