Policia po e heton vdekjen e Anitës

Anita Mehmeti vdiç dy ditë më parë në QKUK, ku babai i saj thotë se ishte “shëtitur” nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe asaj të Pediatrisë, pa u ndihmuar nga askush.

Mediat raportuan se si babai i Anitës, Rrahim Mehmeti po i fajëson mjekët për vdekjen e vajzës së tij, pasi thotë se ata nuk e kanë “marrë në dorë” atë sa ka qenë e sëmurë.

Policia e Kosovës thotë se me autorizim të prokurorit është iniciuar rast i cila vazhdon të hetohet.

“Raportohet se viktima femër kosovare për shkak të problemeve shëndetësore me datën 14.05.2020 kishte kërkuar tretman mjekësor dhe pas tretmanit ishte liruar për në shtëpi, por për shkak se i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, me datën 15.05.2020 ishte dërguar përsëri për trajtim mjekësor ku edhe kishte ndërruar jetë. Me autorizim të prokurorit është iniciuar rast i cila vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së 15-vjeçares, pasi babai i saj ka refuzuar që trupit të pajetë të Anitës t’i bëhet obduksioni.

“Unë nuk i lejova me ia ba autopsinë, e kemi marrë trupin, ku me leju se ata sa ke gjallë çika nuk e merrshin në dorë, çka me leju me ma pre aty çikën”, tha babai i vajzës, Mehmeti.