Policia shoqëron Ilda Bejlerin, ajo mohon aksidentin

Policia e Tiranës ka shoqëruar moderatoren e njohur të sportit, Ilda Bejleri, e cila u përfshi në një aksident, raporton BW. Ngjarja ndodhi pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës, rreth orës 12:50 në bulevardin “Gjergj Fishta”.

‘BalkanWeb’ bën me dije se pasi u mor në pyetje gjatë natës në komisariat, Ilda Bejleri u la e lirë. Mësohet se bukuroshja e ekranit do të hetohet për rastin në fjalë nga prokuroria.

Sipas policisë, Bejleri, duke drejtuar mjetin tip “BMW” me targë AA 998 NY, ka aksidentuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes, shtetasen Eriketa Gjuzi, 63 vjeçe, banuese në Durrës.

Gjuzi, aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë Bejleri ka dhënë sqarime rreth rastit.

“Për fatin tim të mirë, kamerat janë hapur në polici dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori jeshil ishte i hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shoh videon në polici…”, ka shkruar ajo.