Presidenti i Tanzanisë demaskon OBSH: Dhia doli pozitive me COVID, testet s’janë të sakta

Presidenti i Tanzanisë, John Magufuli pretendon se testet për COVID janë teknikisht të pavlefshëm, duke vënë në dyshim saktësinë e tyre.

Ai iu kishte kërkuar forcave të sigurisë që të kontrollonin cilësinë e kiteve të testimit që ishin importuar nga jashtë tek kafshët dhe frutat. Testet u provuan në mënyrë të fshehtë te papaja, dhia dhe delja. Mostrat e grumbulluara u dërguan në laborator pa zbuluar origjinën e tyre. Pasi treguan rezultate pozitive, Magufuli i shpalli testet teknikisht me gabime.

Mostrat përmbanin emrat dhe vitet e lindjes së personave të vërtetë, duke bërë që teknikët e laboratorit të mos dyshonin në asgjë.

Pasi arriti në këto përfundime dhe vërtetoi dyshimet e tij, presidenti deklaroi se shumë njerëz mund të jenë identifikuar si të infektuar me COVID, pa qenë të tillë.

“Po ndodhte diçka e dyshimtë. Unë e kam thënë edhe më herët se nuk duhet të pranojmë që cdo ndihmë që vjen nga jashtë është e mirë për këtë vend.”

Po ashtu, Magufuli tha se po dërgonte një avion për të sjellë një ilaç që promovohej nga presidenti i Madagaskarit. Bëhet fjalë për një kurë bimore, e cila nuk ka kaluar ende një test shkencor të njohur ndërkombëtarisht.

“Unë po komunikoj me Madagaskarin. Ata kanë një ilaç. Ne do ta sjellim ilaçin këtu, në mënyrë që të përfitojnë edhe tanzanianët.”