Presidenti Trump do ta vizitojë Kosovën

Presidenti amerikan Donal Trump mund ta vizitojë Kosovën së shpejti. Vendimi për këtë është marrë, ndërsa ka mbetur të caktohet data.

Kështu ka thënë i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Grenell, në një prononcim për një radio serbe në Chicago.

“Të gjithë tani janë të fokusuar në politikë, përderisa ne jemi të fokusuar në ekonomi. Duam që kapitalizmi të mbizotërojë në rajon, që përmes krijimit të vendeve të reja të punës, të bëjmë atë që nuk kanë arritur tjerët, pasi u fokusuan në aspektin politik”, tha Grenell.

Ndër të tjera, ai shtoi se SHBA-ja nuk dëshiron të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve, pasi dy vendet duhet t’i zgjidhin vetë ato, përcjell Gazeta Metro.

Grenelli, po ashtu, i ka thënë kësaj radioje se ka ndikuar dhe e ka nxitur Trumpin që ta vizitojë Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin.

“Presidenti Trump ka thënë se mezi pret të vijë në vizitë. Ende nuk kemi datë apo detaje, por tashmë e kemi tejkaluar pengesën e parë, pra që Shtëpia e Bardhë zyrtarisht pajtohen me një gjë të tillë”, ka thënë Grenell.

Këto deklarata të emisarit Grenell vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA, nën ndërmjetësimin e presidentit Trump.

Më 4 shtator, dy vendet nënshkruan marrëveshje ekonomike mes vete, por këtu u përfshi edhe njohja e ndërsjellë e Kosovës me Izraelin.

Trump do të jetë presidenti i tretë amerikan që viziton Kosovën, pas Clintonit dhe Bushit.