Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ironizon me “strukturën mendore” të qeverisë Hoti

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Martin Berishaj ka ironizuar me “strukturën mendore” të qeverisë Hoti, për shkak se ka emëruar për zëvendësministër të arsimit një student të bahchelorit.

Ky është postimi i Martin Berishajt:

Sot i kam kontaktuar në Kosovë disa miq, për të cilët kam respekt të madh, mbase isha në dyshim, se a është lajm i rrejshëm apo jo, emërimi i një studenti me notë mesatare, notë kjo, që është aq e vogël, sa që, as notë nuk mund t`i thuhet, për zëvëndës ministër të arsimit në “qeverinë” Hoti!

Më siguruan se nuk është lajm i rrejshëm.

Ky është turpi i rradhës i atyre që e kanë nominuar, por edhe i “kryeministrit” që e ka pranuar emërimin e asaj “strukture mendore” për zëvendës ministër të arsimit (emërim ky që na e nënçmon intelegjencën!)

“Kryeministrin” Hoti dua ta kujtoj se dikur shqiptaria kishte ministra të arsimit me renome ndërkombetare, sikurse ishin: Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Mirash Ivanaj, Ernest Koliqi e deri te Pajazit Nushi.

Zëvendës ministrin e arsimit të kësaj “qeverie” në bazë të notës mesatare, nuk është keq ta testojmë, por jo vetëm, me testin Pisa, se kurrë nuk i dihet si qëndron me shkrim-lexim.

O tempora, o mores!