Profili i veprimtarit e patriotit të madh gjilanas, Ahmed Aliu

Ahmed Aliu u lind më 14.01.1937, në fshatin Llovcë të komunës së Gjilanit. Që nga fëmijëria u dallua për nga niveli i pjekurisë që tregonte dhe e dallonte nga moshatarët e tij duke pasur parasysh se rrjedh nga një familje më në zë e Karadakut, shkruan Mediafokus.info.

Gjyshi i tij, mulla Aliu, qysh në atë kohë kishte të mbaruar Fakultetin e Studimeve Islame në Shkup dhe ishte imam i tërë Karadakut, njeri i dalluar dhe i respektuar në atë trevë.

Kështu, duke i trasuar sadopak kohë jete që kishte tek nipi i tij, Ahmedi, por mjaftoi të krijonte një personalitet që më vonë do të mburrej me veprat e tij.

Duke pasur parasysh rrethanat e asaj kohe dhe regjimet okupuese që mbretëronin në atë kohë, fëmijët nuk i lejonin të shkonin në shkollë. Duke parë aftësitë e tij të cilat i shpërfaqte, mësuesit e tij insistonin vazhdimisht tek babai i tij (Isuf Aliu) që ta lejonte të birin ta vazhdonte shkollimin edhe më tutje, pasi që kishin bindjen që një njeri si ai do të ishte shpresë e madhe për popullin shqiptar.

Babai i tij mezi i dha leje, por nuk e kurseu nga punët e përditshme të fshatit. Si pasojë e kësaj, Ahmedi pasi i kryente obligimet e marra nga babai (për shkak të respektit ndaj tij) i lodhur tejmase dhe nën driten e qiririt, kryente detyrat e shkollës dhe mësonte (ndonjëherë edhe tërë natën). Edhe përkunder këtyre vështirësive, dëshira e madhe e tij për nxënie të dijës e bëri të ishte nxënësi më i dalluar i shkollës.

Gjatë shërbimit ushtarak, i mori të gjitha kategoritë e vozitjes. Më pas e përfundoi shkollën e lartë teknike të makinerisë me sukses të shkëlqyer. Në moshën 21-vjeçare filloi punën në Kuvendin Komunal të Kamenicës, në kabinetin e kryetarit, shkruan Mediafokus.info.

Gjate punës së tij, u shpërblye me medalje, dekorata e mirënjohje të shumta për punën me përkushtim që e bënte. Disa herë ka qenë delegat i Kuvendit Komunal të Kamenicës, ku me përkushtim të madh e ka kryer atë detyrë. Në mbledhjet që mbaheshin në Kuvendin e Komunës, ai haptazi shfaqte kundërshtimet e tij ndaj padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në atë kohë nga regjimi okupues. Si pasojë e kësaj, ai merrte kërcënime të vazhdueshme nga më të keqijat të mundshme, si për shembull, ‘do të të helmojmë pa e ditur fare’, ‘do të të burgosim’, ‘do të të vrasim’.

Në një rast ka qenë aq shumë i kërcënuar nga komandanti i policisë së Kamenicës (famëkeqi Xheliqi), i cili, rrahte shqiptarët pa asnjë faj, sikur kafshë. Ky mendonte se të njëjtën gjë mund ta bënte edhe me Ahmedin, por u zhgënjye rëndë.

Ky famëkeq i shkoi tek vetura e tij zyrtare duke e kërcënuar në goditje me pendrek në dritare dhe duke e sharë, ‘ti je irredentist, shovinist, ke grup të organizuar në Kamenicë dhe po i nxit shqiptaret që ta ngrisin zërin kunder shtetit’.

Ky famëkeq i hapi derën e veturës me forcë, duke tentuar ta godasë, por Ahmedi me shpejtësi, duke e kapur për fyti dhe duke ia futur revolen në gjoks i tha ‘Mjaft më kë torturu shqiptarë pa asnjë arsye dhe mua nuk ma frikëson syrin, as ti as askush tjetër që të më ndaloj ta ngris zërin kundër padrejtësive që po i bëhen popullit tim pa arsye, por gjithmonë pa i dëmtuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve”.

Pas kësaj ngjarjeje, ka pasur kërcënime edhe më të mëdha dhe probleme të përhershme të nxjerrjes të çfarëdo dokumenti (dmth ka pasur dosje kriminale nga pushteti okupues).

Që nga formimi i partisë së parë shqiptare në Kosovë – LDK, në krye me Ibrahim Rugovën, ka qenë përkrahës dhe aktivist i dalluar, së bashku me familjen e tij, shkruan Mediafokus.info.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga okupatori është kërkuar për t’u ekzekutuar (duke u dhënë njerëzve shpërblime të majme për të treguar për vendodhjen e tij).

Pas luftës, vazhdoi aktivitetin e tij si LDK-ist i përbetuar dhe besnik i Ibrahim Rugovës, së bashku me familjen e tij. Përvojat e tij jetësore të shumta, i transmetoi edhe tek vajza e tij e vetme, Hava, duke u munduar ta formësonte si njeri në të gjitha aspektet.

Këshillat e tij ndaj saj ishin “Bijë, shërbej popullit tënd me devotshmëri dhe trego respekt maksimal ndaj tyre”.

Kështu, Ahmedi deri në frymën e fundit punoi për të mirën e familjes, e në veçanti për të mirën e popullit shqiptar në përgjithësi. Ishte njeri i paqes, urtësisë, fesë dhe vizionar i madh.

Jo vetëm familja, por i gjithë qyteti i Gjilanit humbi një njeri te madh. Shpirti i tij u prehtë në paqe dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosoves së tij që aq shumë e deshi dhe punoi për të!

Ahmed Aliu ndërroi jetë më 5 gusht 2020. /Mediafokus.info/