Projektin e ambulancës së Llashticës, Luta ia dedikoi dy ikonave të mjekësisë gjilanase

I madh e i vogël iu gëzuan sot inaugurimit të Ambulancës së  Mjekësisë Familjare në fshatin Llashticë.

Ka qenë kërkesë e kahershme e banorëve të atjeshëm për këtë projekt kapital, pasi për të marrë shërbime në shëndetësinë primare, ata detyroheshin të bënin disa kilometra rrugë për të arritur tek Qendra më e afërt e Mjekësisë Familjare, në lagjen Arbëria.

Gëzimin e shprehu edhe numri një i gjilanasve, Lutfi Haziri.

Krejt këtë projekt tha se ia dedikon dy ikonave të mjekësisë gjilanase, të cilët sot janë në pension, por që ishin të pranishëm në këtë ngjarje.

Bëhet fjalë për gjinekologun e famshëm, dr. Shaban Rexhepin dhe otorinolaringologun Jonuz Cani, të cilët janë nga ky fshat, por që karrierë kanë bërë në Gjilan, transmeton Mediafokus.info.

“Këtë ambulancë, ia dedikoj dy mjekëve më të vjetër të Llashticës, dr. Shaban Rexhepi dhe dr. Jonuz Cani, të cilët kanë shërbyer kudo si mjek dhe bartin testamentin e mjekut të mirë”, tha kreu i Gjilanit. .