Pse axhës Ferat iu kish duk që varret kishin lëviz prej vendit!

Sylë E. Shabani

Në fund të viteve të 80-ta, lagjja jonë Kishali në Zarbincë filloi me u zbraz me të madhe. Njerëzit u shpërngulën në Gjilan.

Askush nuk e kuptoi pse njerëzit filluan të ikin me aq lehtësi prej vendlindjes, ku kishin jetuar qysh prej kohëve që nuk mbaheshin mend.

Oborret mbetën të zbrazura dhe kur hyje nëpër ato oborre e fitoje nji ndjenjë të dhimbshme të braktisjes, që ta kujtonte harrimin, zhdukjen, vdekjen…

Ditën oxhaqet nuk nxirrnin tim siç ishim mësuar t`i shifnim gjatë tërë kohës. Mbi të gjitha gjatë natës ishte nji qetësi e tmerrshme, nuk shifej as nji dritë në shtëpitë e braktisura.

Kur nuk shifej drita, disi zhdukeshin shpresat, se në atë lagje do të arrinin ditë të mira, e trishtimi përhapej si re mbi ne.

Gjatë vjeshtës së vitit 1989 braktisja e arriti kulmin. U duk se aty çdo gjë do të zhbëhej. Shtëpitë dukeshin si vende të fantazmave dhe filluan të ngjallnin frigë. Gjatë asaj vjeshte dhe gjatë atij dimri dukej se edhe në natyrë ndryshoi diçka, u thye diçka në rrjedhën e saj.

Axha Ferat betohej se kur po del te Guri i ngul, era e veriut nuk po vjen ma prej Gurit të zi siç ka ardhë gjatë tërë amshimit, por disi po vjen njifarë ere drejt prej qiellit.

Baba e kundërshtonte e i thonte se era vjen kah ka ardhur gjithmonë, por ti Ferat ke filluar me u plak e nuk je kah e dallon as erën…

Axha Ferat shiqonte në dritën e zbeht të llamës me vajgur dhe heshtte sikur donte me thënë ,,nuk mundeni ju mi dallue gjërat që i dalloi unë,,.

Atë dimër rrall e dëgjoja tu kënduar kur shkonte me fjet. Nji natë i tha babës ,,isha me vizituar varrin e nanës te Bojlia, mu duk që varret kishin lëviz prej vendit, nuk ishin të këthyer mbarë,,

Baba e shiqoj gjatë e ja këthej ‘ku ta dish o Ferat’…dhe nuk e vazhduan ma shumë atë bisedë.

Mua këto paragjykime të axhës Ferat më dukeshin ogurzeza…

Nana sillej nëpër shtëpi me disa punë që nuk i mbaroheshin kurrë dhe shpesh e dëgjoja kur nën buzë e këndonte kangën e Hasan Kukës siç i thonte ajo, e ndonji herë të Dylbere Fatimes (Doruntinës)…

Nana i dinte gati të gjitha kangët legjendare që i kishte dëgjuar në fëmijërin e saj në Desivojcë…

Në atë vjeshtë dhe dimër të vitit 1989 edhe musafirët u rralluan. Mua gjatë asaj braktisje të madhe dhe gjatë qetësisë trishtuese të natës më shqetsonte se çka ndodhëte andej kufirit në Krali. Flitej se frynte erë lufte e gjaku.

Ne ishim afër kufirit të fundit të Perandorisë të vitit 1912…Shpesh e kujtoja kangën e Demë Ahmetit dhe tmerrin e asaj ngjarje. Kjo drojë ndodhi pas disa viteve…

Në fillim të viteve të 90-ta me nji pranverë edhe unë u nisa…

Axha Ferat qëlloj te Verri, tu e pastruar livadhin prej degëve të verrit që kishin ra gjatë dimrit.

Po shkon kah Gjilani a? -më pyeti! Selam bani Lalifes dhe ja nisi me fishkëllue…

Kur dola te Guri i ngul, mu duk se verri u rrotullua dhe mu mbshën sytë me lotë…Nuk arrita mu këthye kurrë…

Kur e kujtoj atë vjeshtë dhe atë dimër të vitit 1989 e ndjej aromën e gjellës që e gatuante nana duke e kënduar nën buzë kangën e Hasan Kukës, që ajo e quante ,,Qorba e bardhë,, e ndjej atë vetmi trishtuese dhe e pyes veten ,,a thua pse axhës Ferat iu kish dukur që varret kishin lëvizur prej vendit?