Pse e njohu tani Izraeli Kosovën?

Daut Dauti

Analisti i njohur izraelit i politikave të jashtme, Yonatan Touval, është nga intelektualët që i ka kërkuar qeverisë së Izraelit ta njeh Kosovën që nga shpallja e pavarësisë por kjo qeveri nuk e bënte këtë gjë. Tashti kur njohja ka ndodhur, ai e kritkon për shkak se Kosova është dashur të njihet para 12 viteve dhe jo për arsyen që u bë tashti.

Kritika e tij qëndron në faktin se Izraeli tashti e njohu Kosovën për shkaqe të gabuara. Touval, siç shihet më poshtë, bënë me dije se Netenjahu, i cili nuk e kishte ndërmend ta njihte Kosovën, u detyrua nga Trumpi ta bënte këtë gjë. Me këtë veprim, Netanjahu ia kthen borxhin Trumpit tashti kur i duhet në fushatë elektorale.

Në këtë artikull Touval sugjeron se Trumpi e përdorë këtë njohje për t’i ushqyer shpresat e rrejshme kinse politika e tij ka patur sukses në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, e cila orvatje e gabuar, në fakt ka dështuar.

Touval e kritikon politikën izraelite edhe për shkak se ajo ka rënë në kurthin e propagandës serbe që thotë se Kosova është Jerusalemi i Serbisë dhe me këtë kuti politika izraelite e sheh gabimisht Kosovën si Palestinë. Touval, me të drejtë bënë me dije se Kosova nuk ka të bëjë asgjë me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe nuk duhet të përdoret asnjëherë në këtë kontekst dhe se Trump dhe Netenjahu nuk duhet të krijojnë këso probleme të paqena kinse me myslimanët dhe të cilat më vonë bëhen kinse po i zgjidhin.

Edhe artikulli tjetër (shih të vendosur në koment) është kritik për këtë njohje. Autori bënë me dije se Netenjahu nuk e njohu deri sot Kosovën për shkak se nuk dëshironte të krijonte presedan për Palestinën por edhe për shkak se nuk dëshironte t’i acaronte mardhëniet me Serbinë.

Sidoqoftë, shtypi izrelit ka botuar mjaft artikuj të këtillë. Te ne mungon njohuria për këtë temë dhe qasja profesionale e pavarur ndaj kësaj çështjeje.

Mediat tona nuk e kanë fuqinë e shtypit izraelit. Gazetarët, analistët dhe intelektualët e Izraelit nuk janë injorantë e as vegla të politikës apo qeverive aktuale siç ndodhë te ne.