Pse të investosh në sport për fëmijën tënd?

Shkruan: Arsim Ibrahimi

Me shkas

Vesa Ibrahimi, shkëlqen në Kampionatin Evropian të Karatesë
Vesa Ibrahimi me datë 09.02.2020 në Kampionatin Europian të Karatesë për Kadetë, Juniorë dhe U21, të mbajtur në Budapest të Hungarisë, në grupmoshën U21, në kategorinë – 68 kg në kumite, pas katër dueleve të fituara arrin të stoliset me medaljen e bronztë.

Në vend të urimit dhe të falënderimeve

Shtrohet pyetja, përse hargjojmë aq shumë kohë dhe para për ushtrime dhe gara të fëmijës tonë?

Duhet të pranoj se kurrë nuk kemi hargjuar kohë dhe para që Ajo të bëhet sportist kulmor.

Atëherë, përse unë dhe familja ime hargjuam aq shumë kohë dhe para nëse nuk e kemi patur për objektiv që Ajo të bëhet sportist kulmor?”

Ne kemi shpenzuar para për ato momente kur Ajo ishte në vështirësi të mëdha edhe pse dëshironte të heqë dorë. Ajo kurrë nuk është dorëzuar.

Ka ngritur kokën lartë dhe ka shikuar në të ardhmen…

Shpenzojmë para për rastet që Ajo të zhvillojë miqësi të përjetshme, miqësi me njerëz të racave dhe religjioneve të ndryshme, që nga trajnerët e mirë ta mësojnë, jo vetëm teknikat e sportit, por edhe mësimet e jetës.

Shpenzojmë para për atë që Ajo të mësojë disiplinën, ndërveprimet sociale, të jetë një individ shembullor, të ndihmojë të tjerët dhe t’i respektoj anëtarët e ekipit të saj dhe anasjalltas…

Shpenzojmë para që Ajo të mësohet me zhgënjimet e jetës, edhe kur nganjëherë Ajo nuk arrin të fitojë. Edhe kur gjërat që ajo kishte praktikuar mijëra herë i shkojnë keq, Ajo përkundër kësaj, ngrit kokën lartë dhe vazhdon tutje me një përkushtim edhe më të madh…

Shpenzojmë para që Ajo të mësoj se si t’i arrij objektivat dhe të kuptoj që suksesi nuk arrihet brenda natës, por ai është fryt i durimit dhe përpjekjeve të mëdha…

Shpenzojmë para që Ajo të shkojë në palestër, e jo të bredh rrugëve dhe kafiterive me shoqëri të dyshimta…

Shpenzojmë para pasi që, Ajo, duke ushtruar sportin e karatesë, ushtron krejt muskujt në gjithë trupin dhe i është zhvilluar shpejtësia, forca, qëndrueshmëria, fleksibiliteti, baraspesha, preciziteti, koordinimi…

Shpenzojmë para për atë, pasi që sporti i kartatesë është i shkëlqyeshëm për astmatik, dukshëm forcon imunitetin, ndikon në metabolizëm të shëndoshë…

Nuk shpenzojmë para që Ajo të bëhet sportiste kulmore dhe të sigurojë jetesën duke u marrë me sport, pasi që pjesa dërmuese e karateistëve, që edhe në rast që fiton ndonjë medalje europiane apo botërore, shpërblimi i fituar zakonisht, nuk mbulon as 10 % të parave që duhet të investohen për të arritur atë rezultat…

Veçanarisht duhet të theksohet se me ushtrimin e sportit të karatesë, Asaj iu ka forcuar personaliteti, vetëbesimi, fisnikëria në përgjithësi, disiplina, kontrolla, respekti, përgjegjësia ndaj punës dhe obligimeve shkollore…

E kështu mund të flasim deri në pakufi, por shkurtimisht, ne nuk shpenzojmë para që Ajo vetëm të ushtrojë, por paguajmë edhe për mundësitë që i ofron sporti i karatesë, që Ajo të zhvillohet si person i shëndoshë në çdo aspekt dhe prej kësaj të ketë dobi gjatë tërë jetës. Të ndihmojë të tjerët dhe të respektojë individualitetin e tyre…”

Dhe, krejt në fund, ne me të vërtetë besojmë që investimi ynë është fitimprurës – një vajzë modeste, e shëndoshë, intelegjente, e edukuar dhe kulturuar, e disiplinuar e punëtore, që nuk dorëzohet kurrë, e paepur për dituri, që respekton të tjerët.

… dhe le të jetë kjo e tëra që trashëgon nga ne Ajo, Gjilani, Kosova…/MediaFokus.info/

(Autori është kryetar i klubit të karatesë Drita, në Gjilan)