Psikologu flet për shëndetin e policëve kosovarë

Numri i policëve të liruar nga arma zyrtare për arsye të problemeve shëndetësore të natyrës psikologjike, është gjithsejtë 20.

Nga ky numër 4 zyrtarë gjenden në pushim mjekësor të kategorizuar si raste të veçanta shëndetësore.

Pavarësisht se në procedurat aktuale të PK-së nuk kryhen testime psikologjike për zyrtarët policorë, psikologët e Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore, kanë realizuar gjithsej 155 seanca psikologjike për 68 zyrtarë gjatë vitit 2019.

Njëri nga psikologët në Policinë e Kosovës, që ka trajtuar këto raste, Arton Ademi, thotë për Ekonomia Online se ligji i Invaliditetit në punë apo edhe pensionimi i parakohshëm i policëve do të ishte një lehtësim në raste të tilla për policët me probleme psikologjike.

“Nuk është një numër shumë i madh, karshi vështirësive me të cilat pjesëtarët e policisë ballafaqohen…”, tha Ademi për EO.

Sipas psikologut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës paragjykohen e stigmatizohen në raste kur ata bëjnë kontrolle te psikologu.

Për këtë ai edhe bën thirrje të gjithë qytetarëve, që mos të bëjnë etiketime të tilla për policët, pasi gjendja e tyre psikike ka ardhur si pasojë e punës.

Ademi thotë se publiku nuk duhet të bëhet gjykatës, nëse një polic merr trajtim nga psikologu.

“Harrojnë faktin se secili pjesëtar i policisë është fillimisht njeri, pastaj ka një profesion të caktuar…”, u shpreh Ademi.

Pa dashur të tregojë statistika, Ademi thotë se ka policë që kanë vështirësi në sjellje e kanë probleme me stres, mirëpo, varësisht nga rastet mbajnë seanca psikologjike.

Sipas psikologut, nëse një pjesëtar i PK-së, vërtetohet se nuk mund të kryejë punë me pajisje profesionale, atëherë ai mund të sistemohet në ndonjë punë administrative.

Duke u nisur nga rasti i fundit ku ish-pjesëtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca vrau prindërit, vëllezërit e pastaj edhe vetën me armë zyrtare, Ademi nuk e mohon faktin që pjesëtarët e policisë me probleme psikike mund të paraqesin rrezikshmëri.

“Nuk mund ta mohojmë faktin që normalisht që është rrezikshmëri shumë e lartë që mundet me paraqit secili individ, por kjo gjë ka mundur me ardh prej secilit qytetar të Kosovës që mundet me bë një gjë të tillë, kemi rastin në Prizren ku dyshohet që djali ka ekzekutua prindërit e tij, kështu ajo çka mbetët pjesë e policisë është që pajisjet e veta zyrtare policore t’i rekomandojë për me u lirua. Pjesën tjetër është e pamundshme që të mbikëqyret secili individ se çka mund të bëjë në jetën e tij private. Ai sigurisht që ka mundësi që edhe armët jashtë policisë ka mundur me krye një gjë të tillë”, tha Ademi.

Ai tregoi se në Policinë e Kosovës, janë dy psikologë të cilët merren vetëm me gjendjen e policëve, të cilëvë u kryhen ekzaminime të ndryshme psikologjike.

Pas kërkesës së Ekonomia Online, Policia e Kosovës, ditë më parë bëri të ditur se numri i zyrtarëve policorë me probleme më të rënda shëndetësore është rreth 120, përfshirë personelin e uniformuar dhe atë civil, numër ky i cili mund të variojë, të kategorizuara si raste të veçanta shëndetësore, për shkak të natyrës së rëndë të sëmundjes.