Pyet motra: Kush ia nxori sytë prej ballit vëllait tim

Bardhe Ndoja

Vendosa ta shkruaj këtë letër pas deklaratave të kohëve të fundit të xhelatëve të vëllait tim. Një prej tyre është Edmond Caja, shefi i policisë së atij burgu, i cili shtypi revoltën, masakroi vëllanë tim e shokët e tij, dhe më pas, propozoi dënimin me pushkatim, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, që sot jetojnë të lirë në Gjermani, SHBA e vende të tjera të perëndimit.

Ja urdhri i Edmond Cajës që më pas, xhelatët e tjerë e miratuan, një shkresë që e ka botuar studiuesi Kastriot Dervishi:

blank

Ata e jetojnë sot lirinë, të pashqetësuar nga e shkuara e tyre e përgjakshme dhe kanë guximin e pafytyrësinë të dalin në media e të flasin për pafajësi e më keq akoma, të akuzojnë viktimat e tyre. Është e papranueshmë për ne si familjarë të viktimës së xhelatit Edmond Caja, që të pranojmë heshtjen e institucioneve e të shoqërisë shqiptare për deklarata të tilla, ku xhelatët tentojnë t’i cilësojnë viktimat e tyre, Tom Ndojën e Sokol Sokolin, edhe terroristë.

Kanë kaluar 35 vjet prej kohës kur u pushkatua vëllai im. E kemi kërkuar varrin e tij për 27 vjet, deri sa e gjetëm, vetëm me përpjekjet tona, pa asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore. Nuk jemi ankuar kurrë, nuk kemi kërkuar kurrë hakmarrje, por kjo nuk do të thotë të pranojmë baltën mbi eshtrat e tij, baltë që e hedh pikërisht xhelati i tij e të tjerë xhelatë që e mbështesin.

Tom Ndoja e Sokol Sokoli, por edhe të tjerë të vrarë e të ridënuar pas revoltës së Qafë Barit, janë dekoruar nga presidenti i republikës së Shqipërisë, me titullin “Nderi i Kombit” dhe vetëm kaq. Asnjëherë nuk u kërkuan vrarësit e tyre që i pushkatuan në mënyrën më makabre, që iu hoqën edhe sytë prej ballit… ndërkohë që ata jetojne të lirë, madje shkruajnë nëpër gazeta si të pafajshëm. Ne duruam vrasjen e tij në atë regjim gjakatar komunist, duruam persekutimin e tmerrshëm gjatë burgosjes e pas vrasjes së tij, nuk kërkuam shpagim kur regjimi ra, por kjo nuk do të thotë që të durojmë ende nën thundrën e xhelatëve komuniste. Nuk do të durojmë asnjë pikë balte mbi varrin e tij!

Ne si familjarë jemi ende të persekutuar, sepse shtetin shqiptar e drejtojnë prapë komunistët dhe nuk gjejmë mbështetje në shtetin tonë. Por ne nuk do të ndalemi, sepse do të kërkojmë drejtësi në institucionet më të larta ndërkombëtare./kujto.al