Qendra e gruas ‘Liria’ në Gjilan ndihmohet nga Sllovakia

Qendra e gruas “Liria” në Gjilan ka marrë mbështetje Sllovakia, gjatë një pritje që kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, ka bërë për shefin e Zyrës sllovake në Prishtinë, Rastislav Kostilnik.

Kryetari Haziri e ka falënderuar diplomatin sllovak për bashkëpunimin e vazhdueshëm në funksion të mbështetjes për Qendrën “Liria”, e cila përkujdeset për gratë dhe fëmijët të cilët janë të përfshirë në dhunë familjare si për bashkëpunimin në shumë fusha në të kaluarën.

“Kjo vizitë në Gjilan dhe në qendrën “Liria”, është në funksion të mbështetjes edhe në këtë kohë pandemie për këtë kategori të shoqërisë”, ka thënë Haziri.

Ndërsa shefi i Zyrës së Sllovakisë në Prishtinë, Rastislav Kostilnik, ka thënë se sot në Gjilan është për të ofruar mbështetje për Qendrën e Gruas “Liria”, kryesisht në mjete mbrojtëse, si maska, doreza dhe dezinfektues, për të qenë të përgatitur edhe më shumë në përballjen me pandeminë globale Covid-19.

Ai ka konfirmuar po ashtu se bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe miqësor, me projekte të ndryshme.