Qeveria Haradinaj e humbi shansin që SHBA-të i ofruan Kosovës

Myzejene Selmani

Kosova ka ndërruar shpesh qeveri, por asnjëra prej tyre nuk janë treguar të përgjegjshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket fatit të vendit dhe të ardhmes së tij.

Së fundi, shansin e humbi edhe ish-kryeministri Haradinaj, sepse nuk arriti, ose nuk diti t`i bashkojë subjektet politike rreth kauzës së Kosovës, sado që erdhi me këtë premtim.

Diçka bëri me ushtrinë dhe kjo meritë duhet t`i njihet, por u tërhoq nga finalja e madhe, sepse pati frikë që gjerat nuk do të bëhen ashtu siç pret populli i Kosovës, ose për ndonjë strategji tjetër politike.

Kosova është vend i befasive, fatkeqësisht për mbrapsht.

Subjektet politike dhe as elitat intelektuale nuk kanë pasur asnjëherë një qëndrim unik ndaj dialogut dhe të ardhmes së vendit.

Dialogu dhe ndërmjetësimi janë shfrytëzuar për luftë të brendshme, për pushtet dhe për të goditur e dëmtuar rivalët politikë.

Nga këto sjellje, Kosova ka arritur sot në një situatë aspak të favorshme në procesin e dialogut si dhe të mbështetjes së faktorit ndërkombëtar.

Serbia po vazhdon të bind shtete për heqjen e njohjes së Kosovës, ose të paktën pezullimin e njohjeve, ndërkaq Kosova sikur po bën sehir me këto sjellje destruktive të fqinjit dhe armikut të saj të vjetër.

SHBA është kthyer nga zgjedhjet presidenciale dhe nuk ka kohë të merret me Kosovën, ndërsa Evropa po luan me hile në këtë proces.

Mungesa e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por jo dosido, sa për t`u ndarë me fqinjin e keq, nuk i konvenon aspak Kosovës.

Kosova ka humbur shumë shanse në këto njëzetë vjet, për të zgjidhur këtë problem.

Amerika i ka ofruar disa herë shanse, por politikanët kosovarë nuk janë treguar unikë në këtë pikë, nga frika se kush po përfiton më shumë, ose më pak politikisht.

Dhe, gjithmonë, fajin e hedhin te njëri-tjetri.

Në këtë rrugë të humbur për shumë kohë, tani është vështirë të zgjidhet drejtimi i duhur.

Edhe qytetarët kanë filluar ta humbin besimin .

Dashtë Zoti të mos e humbasim besimin e SHBA-ve.