Qeveria Kurti paralajmëron uljen e pagave në sektorin publik

Paralajmërimin e qeverisë Kurti për uljen e pagave në sektorin publik, filozofi Blerim Latifi e ka komentuar duke thënë se ky vendim do ta varroste politikisht Albin Kurtin.

Sipas tij, Kurti erdhi në pushtet nga mbështetja e shtresës së mesme e cila do të preket më së shumti nga ky vendim i mundshëm i Qeverisë Kurti.

“Besnik Bislimi, ministri aktual i financave, paska paralajmëru uljen e pagave në sektorin publik. Ky paska vendosë me varrosë politikisht e përfundimisht Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Ky vendim, nëse merret, e shkatërron shtresën e mesme në Kosovë, e cila ka qenë mbështetësja kryesore elektorale e Kurtit. Besnik Bislimi duhet ta kuptoj një gjë elementare: kriza nuk kapërcehet duke shtu varfërinë, ashtu si zjarri nuk shuhet duke i hedhur benzinë. Varfëria i shton dimensione të reja krizës, nuk ia pakëson ato. Shtimi i varfërisë e bën krizën të pakontrollueshme. Barazia në varfëri është është metodë puro komuniste. Falë saj sot komunizmi është një ide politike e vdekur dhe e përçmuar edhe në varr”, ka shkruar Latifi.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar të enjten  se nëse për shkak të koronavirusit vazhdon kriza ekonomike, atëherë do të preken edhe pagat e sektorit publik.

“Nuk mundet kriza me vazhdu edhe dy muaj e ne mos me i prek edhe rrogat e sektorit publik. Një opsion mundet me qenë të gjithë të punësuarit në sektorin publik, përjashto sektorin e shëndetësisë dhe të policisë qe janë në angazhim maksimal e kanë pagën e njëjte 400 euro, 400 euro. Unë përsonalisht e kisha favorizu një opsion të tillë. Nëse kriza vazhdon nuk është në rregull Besnik Bislimi me vazhdu me i marrë 1200 euro si ministër”, kishte thënë Ministri i Financave.