Qeveria miraton projektligjin për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan

Qeveria e Republikës së Kosovë, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 30-tën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar pesë projektligje, gjashtë vendime, një koncept dokument si dhe Rishikimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023.

Një nga projektligjet që ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, është edhe ai për realizimin e projektit për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan, raporton Mediafokus.info.

“Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për realizimin e projektit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan. Projektligji ratifikon kontratën financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për këtë projekt në Komunën e Gjilanit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Përndryshe, 84 deputetë të Kuvendit i dhanë dritën jeshile Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, në korrik të këtij viti./Mediafokus.info