Qeveria s`e pengoi Pacollin pse kishte frikë nga virusi, sepse virusi është tashmë këtu, por pse ai si deputet nuk duhej të ishte këtu

Myzejene Selmani

Në një vend demokratik, siç është Kosova në aspektin kushtetues, askush s’mund ta kërcënojë një deputet.

Ajo çka përjetoi presidenti Pacolli në dy-tri ditët e fundit nga pushteti i Vetëvendosjes, është rast i pa shembull, që ndaj një personaliteti botëror, nuk do ta bënin as shtetet më diktatoriale.

I rikujtojmë Kurtit dhe Sveçles se Behgjet Pacolli është një kontribuues i fuqishëm i lirisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës.

Ta tmerrojë e ta frikësojë deri në këtë masë shteti i vetë, përkatësisht një pushtet të cilit i është marrë besimi, një deputet dhe një ish president, i cili nuk ka rënë ndesh me asnjë ligj të këtij vendi, kjo është e pafalshme.

Pushteti i Albin Kurtit, nëse për asgjë tjetër, do të mbahet në mend për skandalin që krijoi pa asnjë arsye me ish presidentin Pacolli.

Presidenti Pacolli erdhi me certifikatë mjekësore se nuk ishte i infektuar me koronavirus.

Fundja, edhe po të ishte i infektuar, nuk do të duhej sjellë me kaq arrogancë ndaj tij, kur dihet se koronavirusi ekziston në Kosovë prej dy muajsh dhe këtu kemi dhjetra njerëz të infektuar, madje edhe të vdekur.

Ardhja e presidentit Pacolli nuk po rrezikonte sjelljen në Kosovë të një virusi të pa njohur.

Kjo qeveri u soll me një deputet të vendit, sikur ai të ishte i infektuar dhe sikur ne këtu të mos e kishim asnjë rast të evidentuar me këtë virus.

Ekziston mundësia që edhe ndonjëri nga deputetët, të cilët nuk kanë histori udhëtimi, të jetë i prekur nga virusi.

Virusi tashmë është këtu dhe kjo nuk e pengon aq shumë këtë qeveri, por problemi është se deputeti Pacolli nuk duhej të ishte këtu.