Qeveritë e pazareve politike mund të shantazhohen

Gani Bajrami

Kërcënimi i fundit i Listës Serbe se do të largohet nga Qeveria e Kosovës, nëse Kosova nuk e formon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është një shantazh që paraqet rrezik pasi një qeveri e pazareve politike dhe pa legjitimitetet demokratik, mund të jetë e gatshme që për ta mbajtur pushtetin të bëjë pazare të dëmshme me Serbinë edhe në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës
****
Aktualizimi me ngulm i Serbisë për ta themeluar Kosova Asociacionin e komunave me shumicë serbe apo “zajednicen”serbe siç e quan ajo, duket një bombë e kurdisur serbe për ta ndërprerë dialogun e Kosovës dhe Serbisë për të cilin dialog po insiston faktori ndërkombëtar. Lehtësia e autoriteteve kosovare për ta pranuar dialogun me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve pa asnjë kushtëzim, u tregua shumë kundërproduktive tash e gati një dekadë.

Kosova nuk insistoi asnjëherë që këtë dialog ta kushtëzoi me kompensim të dëmeve të luftës dhe gjenocidit që bëri Serbia në Kosovë, as me dorëzimin e dënimin e kriminelëve serbë për krimet e shumta mbi shqiptarët, as me zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe informacionet për varrezat masive në Serbi, madje as me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e tanishme e Serbisë me të cilën ajo Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë.

Siç dihet Republika e Kosovës, si shtet i pavarur, sovran, i njohur ndërkombëtarisht, e ka zhvilluar procesin e dialogut nga viti 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky dialog fillimisht ishte konsideruar si teknik, por shumë shpejt me aftësinë e Serbisë dhe pa aftësinë e Kosovës ishte shndërruar në dialog politik, duke trajtuar shumë çështje që prekin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës që u përfshin në dialog me pa aftësinë e vet ndikuan që Serbia të inkurajohet dhe shkallë pas shkalle pozitën e vet të fajtorit dhe agresorit ta shndërron në pozitë të viktimës, ndërsa viktimën në pozitën e agresorit. Prandaj thuaja çdoherë presioni i faktorit ndërkombëtar u orientua drejt Kosovës e fare pak drejt Serbisë edhe pse Serbia ishte ajo që shumicën nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nuk i ka zbatuar fare, ose i ka zbatuar vetëm pjesërisht.

Kërcënimi i Listës Serbe, një shantazh i hapur

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen bazë të Brukselit për dialogun Kosovë – Serbi, të nënshkruar në prill të vitit 2013, nga Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, si dhe me marrëveshjen për parimet e themelimit e këtij asociacioni, të nënshkruar në gusht të vitit 2015 nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, i shoqëruar nga vetë Hashim Thaçi si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës marrëveshjen për parimet e themelimit të asociacionit e ka vlerësuar se është në kundërshtim në 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa Marrëveshja bazë për dialogun Kosovë – Serbi, e nënshkruar në prill të vitit 2013, është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ka dy-tre vite që Asociacioni nuk ishte nxënë në gojë, as nga serbët e Kosovës, e as nga Serbia, sepse shpresohej në ndarjen e Kosovës dhe tash kur ndarja e Kosovës një herë për një herë dështoi, janë ngjallur zërat për themelimin e Asociacionit. Qëllimi i parë i Serbisë është që Bashkimi Evropian ta drejtojë presionin kah Kosova, si fajtore për bllokimin e dialogut, ndërsa ai i dyti është që me Asociacionin Serbia t´i arrij qëllimet si në Bosnje, ta pamundësojë funksionimin e Kosovës si shtet.

Kërcënimi i fundit i Listës Serbe, që është dorë e zgjatur e pushtetit të Serbisë në Kosovë, se do të largohet nga Qeveria e Kosovës, nëse Kosova nuk e formon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ashtu siç po e kërkon Serbia, si një hallkë e re e pushtetit të tretë, paraqet një shantazh të hapur.

Ky shantazh nuk do të paraqiste ndonjë rrezik në rrethana normale, por në rrethanën konkrete kur Kosova ka një qeveri të pazareve politike pa legjitimitetet demokratik, shantazhi mund të merret si kërcënim serioz. Sepse, është fakt i njohur se qeveritë e pazareve politike mund të shantazhohen dhe janë të gatshme që të bëjë pazare të dëmshme me këdoqoftë në dëm të sovranitetit, integritetit territoriale dhe funksionimit të shtetit të vet.

Kosova nuk duhet të lejojë të shantazhohet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka konsideruar temë të mbyllur debatin për Asociacionin, duke thënë se nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe duke lënë të kuptohet se qeveria nuk mund të kërcënohet e as shantazhohet nga askush.

Në opinionin kosovar mbisundon frika se edhe kryeministri Abdullah Hoti po e ndjek metodën e paraardhësit të tij Hashim Thaçi, i cili kur diçka që kundërshtonte me zjarr në Prishtinë e pranonte me lehtësi në Bruksel. Kjo frikë tashmë ka një mbështetje në sjelljen e deritashme të kryeministrit Hoti, i cili u dëshmua i gatshëm për t’i ndryshuar qëndrimet brenda një intervali të shkurtër kohor.

Nuk duhet nënçmuar edhe fakti se Qeveria Hoti varet nga votat e Listës Serbe, ndërsa në Kosovë është dëshmuar se disa pushtetmbajtës janë në gjendje të bëjnë gjithçka edhe në dëm të vendit vetëm për të mos e humbur pushtetin.

Kosova nuk duhet të lejojë të shantazhohet e as të lëshojë pe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe edhe pse ka marrë obligime ndërkombëtare për ta themeluar Asociacionin, por ai duhet të jetë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të formohet vetëm atëherë kur Serbia ta heq Kosovën nga Kushtetuta e vet.

Formimi i çfarëdo asociacioni të komunave serbe derisa Serbia në Kushtetutën e vet Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë, ndërkaq që kufijtë ndërshtetëror i quan kufij administrativ, paraqet rrezik të madh për bosnjëzimin e Kosovës. Është fakt i njohur se Kosova në Kushtetutën e Serbisë, të vitit 2006, përmendet në mënyrë eksplicite tre herë. Fillimisht në preambulë, më pas në nenet për organizimin territorial, në të cilat definohet pozita e krahinave autonome.

Kosovës në këtë rast i duhet shumë energji dhe këmbëngulje e fuqishme, sepse shtetësia e vendit nuk tregtohet me asnjë çmim. Autoritetet kosovare kanë shumë arsye që të këmbëngulin që para se ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe ashtu siç ka sugjeruar Gjykata kushtetuese e Kosovës Serbia ta heq Kosovën nga Kushtetuta e saj.