Qytetari nuk ka të drejtë të kandidojë për President të vendit

Shkruan: Msc. Skender Berisha

Qytetarët e Kosovës po e vuajnë një të drejtë të kufizuar nga kushtetuta për të kandiduar si të barabartë për pozitën e presidentit të republikës.

Gjithashtu kjo pengesë e krijuar nga politika kosovare dhe e votuar në parlamentin e R. së Kosovës për qytetarët e vendit po sjell ngecje në propozimet e ndryshme që mund të ketë, e veçmas i vë në pozitë jo të mirë kur disa nga politikanët shfaqin ambicie për një pozitë të tillë, pasiqë dihet qartë se një pozitë e tillë në Kosovë është lehtë të fitohet p.sh., duke përdorë kushtëzimin, e të tilla gjëra, të cilat i ka si garancë nga një kushtetutë që gjithsesi ka nevojë të ndryshohet në një të ardhme të afërt.

Zgjedhja e presidentit edhe kësaj radhe do të jetë “pazar” i politikës kosovare, por nëse punohet dhe ka vullnet politik pas këtij mandati, presidenti i ardhshëm do të duhej të zgjidhej direkt nga qytetarët.

Edhe pse roli i Presidentit është rol me ndikim minimal në jetën e qytetarëve, prapë se prapë një figurë që pranohet dhe votohet nga shumica e qytetarëve do të ishte ideale.

Është e qartë se qytetari apolitik s’ka të drejtë të jetë President i vendit me një kushtetutë të tillë që e ka Kosova.

Propozimet do të ishin gjithmonë të mirëseardhura dhe një propozim që kufizon kohën nga pesë (5) në katër (4) vjet, do të ishte më e mirë duke e futur zgjedhjen e Presidentit në kohën e njëjtë me zgjedhjet lokale në nivel vendi, dhe jo gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Kosova e ka të domosdoshme të veprojë në këtë drejtim dhe ndryshimet kushtetuese do ta kufizojnë mundësinë e pazareve dhe dëmeve që i shkaktohet vendit me tema të parëndësishme që si të tilla nuk janë tema që prekin direkt apo indirekt mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.