Raka rekomandon hapjen e shkollave nga klasa e parë deri në të pestën

Infektologu Lul Raka ka paraqitur avazntazhet dhe disavantazhet e hapjes së shkollave në shtator, shkruan Mediafokus.info.

Raka ka thënë se sa i përket parimeve themelore në kontekstin e hapjes së shkollave, janë numri i rasteve, hospitalizimi dhe numri i vdekjeve që është më i ulëti te fëmijët, pastaj se fëmijët kanë kryesisht infeksion të lehtë ose janë pa simptoma e ndër të tjera, edhe transmetimi i infeksionit ndërmjet fëmijëve në shkolla është i rrallë dhe nuk është shkaku kryesor i infeksionit SARS-CoV-2 tek fëmijët.

Shifra e lartë e të infektuarve në Kosovë dhe mungesa e testimit në komunitet janë dy nga argumentet kundër hapjes së shkollave të cilat i ka përmendur Raka.

Ndërsa, një numër i madh i arsyeve sipas Rakës janë pro hapjes së shkollave, përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuara që mund të preken veçanërisht pasi mund të ndjehen më të izoluar nëse nuk kthehen në shkolla.

Ja postimi i plotë:

SHKOLLAT

Rikthimi i nxënësve në shkolla pas pandemisë mbetet një prej prioriteteve më të mëdha të shoqërive kudo në botë. Në shumë vende shkollat fillore janë konsideruar si shërbime esenciale të shoqërisë, madje edhe nëse ka një përhapje të moderuar të COVID-19 (<10 raste në 100.000 banorë).

Parimet themelore në kontekstin e hapjes së shkollave:

Numri i rasteve të sëmundjes, hospitalizimit dhe vdekjeve është më i ulti te fëmijët

Fëmijët kanë kryesisht infeksion të lehtë klinik ose janë pa simptoma fare.

Sasia e virusit e gjetur te fëmijët simptomatikë është e afërt me atë të të rriturve. Por, kjo nuk nënkupton doemos infekciozitetin e njëjtë.

Deri sot, shumë pak shpërthime janë identifikuar nëpër shkollat e Evropës, përfshirë Suedinë dhe Islandën, të cilat nuk i kanë mbyllur asnjëherë shkollat fillore. Të vetmet raste janë raportuar në Izrael.

Transmetimi i infeksionit ndërmjet fëmijëve në shkolla është i rrallë dhe nuk është shkaku kryesor i infeksionit SARS-CoV-2 tek fëmijët

Shkalla e përhapjes nëpër shkolla nuk dallon nga ambientet e tjera profesionale ose mjediset me dendësi të ngjashme të njerëzve.

Nga dëshmitë në shumë vende të Evropës, konstatohet se rihapja e shkollave nuk ka pasur rritje të përhapjes së virusit në komunitet.

ARGUMENTET PËR HAPJEN E SHKOLLAVE

Mbyllja e shkollave i privon fëmijët dhe të rinjtë nga mundësitë për rritje dhe zhvillim.

Fëmijët e moshës 2-10 vjeç mësojnë shumëçka nga bashkëmoshatarët e tyre dhe kanë një ndikim pozitiv në zhvillimin e personalitetit të tyre dhe ndjenjën e identitetit, ndërsa ndërprerjet e marrëdhënieve të tilla të afërta shoqërohen me depresion, ndjenjë të fajësisë dhe zemërim te fëmijët.

Aktivitetet shkollore dhe jashtëshkollore ofrojnë strukturë, kuptim dhe ritëm të përditshëm për fëmijë dhe të rinj.

Fëmijët me aftësi të kufizuara mund të preken veçanërisht pasi mund të ndjehen më të izoluar

Fëmijët që jetojnë në kushte të pasigurta janë përballur me më shumë vështirësi me mësimin online, si për shkak të varfërisë dixhitale dhe vështirësive për prindërit që mund të ndihmojnë në procesin e të mësuarit.

Rrethanat ekonomike mund të rrezikojnë kthimin në shkollë për fëmijë dhe të rinj që janë nën presion për të punuar dhe për të siguruar bukën për familjet e tyre të varfëra.

Për shumë studentë që jetojnë në varfëri, shkollat nuk janë vetëm një vend për të mësuar, por edhe për ushqim të shëndetshëm.

Fëmijët kanë rrezik më të madh të dhunës në familje gjatë mbylljes së shkollës.

Me mbylljen e shkollave, fëmijët nuk kanë më një rrjet të sigurisë që mund të zbulojë dhe raportojë abuzimin e fëmijëve,

ARGUMENTET KUNDËR HAPJES SË SHKOLLAVE

Numri i madh i rasteve në komunitet. Kosova nëse ka 200 raste në ditë, kjo përafërsisht është 12 raste në 100.000 banorë. Kjo shifër është e lartë!

Mungesa e testimit në komunitet

Vendimi përfundimtar duhet të merr parasysh gjithë faktorët e përmendur.

Rekomandimi i Bordit Këshillëdhënës Anti-Covid 19:

Parashkollorët dhe nxënësit deri në klasën e pestë të vijojnë mësimin në shkolla.

Në zonat rurale dhe atje ku ka kushte dhe hapësira, mund të organizohet mësimi edhe me vitet e tjera, gjithnjë duke respektuar masat e MSh dhe të IKSHPK.

Të hapen shkollat profesionale për mbajtjen e lëndëve profesionale dhe atyre praktike.

Në Fakultetin e Mjekësisë, ligjëratat të mbahen online, kurse ushtrimet të mbahen nëpër klinika dhe institute të SHSKUK dhe IKSHPK. Të merret në konsideratë edhe ndihma e absolventëve të FM në përballje me COVID-19. /Mediafokus.info/