Rama premton bursa për fëmijët e familjes Abazi

Fëmijët e familjes Abazi, e cila humbi dy djemtë e saj në fatkeqësinë natyrore në Durrës, do të marrin bursa nga shteti shqiptar deri në përfundim të shkollimit.

Kështu ka premtuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i ka urdhëruar zyrtarët shtetërorë që t’i kontaktojnë familjet e dy vëllezërve në Kosovë.

Shemsedin dhe Isa Abazi ndodheshin në Shqipëri për qëllime pune e mbijetese dhe në Durrës kishin mbërritur natën që ra tërmeti.

Ata kanë lënë pas vete 6 jetimë, fëmijë të vegjël, të cilët kanë nevojë për përkujdesje.

Familja Abazi jeton në Livoç të Epërm, në periferi të Gjilanit, ndërsa me origjinë është nga Bresalci, po ashtu fshat i kësaj komune.