Reagon Haradinaj-Stublla: Serbisë nuk duhet t`i jipet mundësia të ulet në tavolinën e bisedimeve me Kosovën, derisa sillet kështu

Pas ndalimit nga autoritetet turke të gjeneralit kosovar në pension, Imri Ilazi, ka reaguar ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka zhvilluar një bisedë telefonike me homolgun turk, Mevlut Cavusoglu.

Ajo ka njoftuar po ashtu, se disa minuta pas bisedës, autoritetet turke kanë reaguar menjëherë dhe Imri Ilazi është liruar.

“Kam kontaktuar në mëngjesin e sotëm Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë z. Çavuşoğlu – për t’u interesuar rreth ndalimit të veteranit të UÇK-së Gjeneral Imri Ilazi në aeroportin e Antalya-s. Pas disa minutash, Ministri dhe Ambasada jonë në Ankara më njoftuan se z.Ilazi është liruar”, ka shkruar kryediplomatja.

Por, ministrja ka thënë po ashtu se nuk duhet ulur në tavolinë me Serbinë, derisa vazhdon të përditësojë fletarrestet ndaj ushtarëve të UÇK’së.

“Serbia si palë agresore, që nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që vranë, masakruan, dhunuan, shkatërruan e vodhën gjithçka, NUK do të duhej të ketë mundësinë të ulet në tavolinën dialoguese përballë Kosovës përderisa përditëson fletëarrestet politike ndaj luftëtarëve çlirimtarë që mbrojtën pragun e shtëpisë!”, ka përfunduar ajo.