Reagon Kurti: Zyrtarët që nënshkruan marrëveshjet me Serbinë, s’kanë pasur autorizim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar për marrëveshjet e nënshkruara sot mes Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara u bën pa njohurinë e tij nga zyrtarë të qeverisë paraprake.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, Kurti ka thënë se në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë së re.

“Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, thotë Kurti.

Në Munih sot u nënshkrua marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat mes Kosovës dhe Serbisë.

Ja shkrimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.

Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.

Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare.

Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet./MediaFokus/