Reagon Meta për grumbullimet e familjarëve në pritje të informatave për të afërmit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin që ju bëhet familjarëve të pacientëve të shtruar me coronavirus.

“Familjarët e qytetarëve të prekur nga COVID-19 meritojnë të trajtohen denjësisht dhe të informohen me transparencë të plotë për shëndetin e të dashurve të tyre, të cilëve ju uroj shërim sa më të shpejtë”, shkruan Meta, në profilin e tij në Facebook.

Ai thotë se pamjet shqetësuese të publikuara sot në media për grumbullime të shumta në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë kërkojnë reflektim të menjëhershëm.

Në fotografitë e publikuara nga kreu i shtetit shihet mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero duke folur me qytetarët, të cilët duken të grumbulluar, në pritje për të mësuar për fatin e të afërmve që po trajtohen në spital.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë të konfirmuar pozitiv, ku 21 pacientë janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar./noa/