Refuzimi opozitar i ftesës së ‘vonuar’ për dialogun me Serbinë

Ftesa e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për partitë opozitare, që të propozojnë përfaqësuesit e tyre për të qenë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës për takimet në Uashington dhe në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, që priten të zhvillohen në javën e parë të shtatorit, është shumë e vonuar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Megjithatë, ata kanë këndvështrime të ndryshme lidhur me refuzimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, që të jenë pjesë e këtij delegacioni.

Të dy këto parti opozitare tashmë i kanë bërë publike qëndrimet e tyre refuzuese ndaj ftesës së kryeministrit Hoti.

Analistja e zhvillimeve politike në Kosovë, Donika Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë që ftesa e kryeministrit Hoti ndaj partive politike opozitare për të qenë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës për takimet në Uashington dhe në Bruksel, është qasje e gabuar, pasi, sipas saj, elita politike është skajshmërisht e polarizuar.

Siç thotë Emini, dialogu me Serbinë është pikë e ndjeshme për dy partitë opozitare.

Në këtë rast, sipas saj, për PDK-në, aktakuzat, ende të pakonfirmuara, për krime lufte nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli, dhe ndaj presidentit Hashim Thaçi, e kanë ndërruar kursin e dialogut në Uashington.

Ndërkaq, për sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, sipas saj, është pikërisht fakti që për shkak të dialogut dhe “vendimeve unilaterale”, siç i pati quajtur Hoti atëherë, LDK-ja e kishte prishur koalicionin qeverisës me këtë parti, gjë që çoi në rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

Siç thotë Emini, kohezioni dhe uniteti politik për dialogun nuk mund të arrihen në momentin e fundit, me një ftesë të vonuar, por ky proces duhet të jetë më i gjatë dhe më i thellë.

“Kjo qasje e Hotit ndaj gjithë partnerëve politikë, po tregon vetëm atë që kur ta pyesin nesër se ‘pse nuk je konsultuar paraprakisht’, përgjigjja e tij mund të jetë ‘u kam dërgua ftesë, mirëpo nuk janë përgjigjur’ dhe me këtë ta heqë obligimin e konsultimit të brendshëm politik. Kjo është e gabuar, sepse është një proces në të cilin duhet hyrë me sinqeritet të plotë. Këtë nuk e kam parë nga Hoti, as ndaj opozitës e as ndaj partnerëve të vet në qeveri, duke e ditur qartë që (lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush) Haradinaj, tashmë është duke e kritikuar zëshëm qasjen e Hotit në këtë proces”, tha Emini.