Reparti i Pediatrisë në Gjilan mbyllet përkohësisht, katër të infektuar brenda stafit  

Komiteti emergjent për menaxhimin  e pandemisë në Gjilan, mbrëmë vonë, ka vendosur për mbylljen e Repartit të Pediatrisë në kuadër të Spitalit Regjional, për shkak se katër persona nga stafi kanë rezultuar me Covid 19.

Tre të infektuarit në këtë repart janë persona kontakti me nënën e një punëtoreje shëndetësore, e cila punon në një spital privat në Prishtinë, që është vatra e infeksionit në të gjitha rastet e fundit në Gjilan.

Nëna e kësaj punëtore, po ashtu punon në Pediatrinë e Spitalit të Gjilanit.

Shërbimet e pediatrisë, për kohën derisa Reparti do të jetë i mbyllur, do të ofrohen nga Qendra e Mjekësisë Familjare si dhe përmes formave të tjera alternative, ka thënë kryetari i Komunës Lutfi Haziri.

Haziri ka thënë se është domosdoshmëri që të shtrëngohen masat, pas rasteve të fundit.

Ai ka apeluar qytetarët që të mos dalin pa nevojë, sepse në këtë mënyrë, potencialisht mund ta rrezikojnë vetveten, familjen, lagjen dhe qytetin./mediafokus.info/