Rexhaj: Shkollat që s’i kanë masat anti-COVID do të mbajnë mësim online

Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, tha se vlerësuan se për të ruajtur shëndetin publik e vendosën që shkollat të hapen më 14 shtator, derisa theksoi se përgatitjet për fillimin e procesit mësimor kanë nisur qysh në qershor.

Sipas tij, këto dy javë do të shërbejnë që të bëhet testimi i disa mësimdhënësve si mostër, njofton Klan Kosova.

“Kemi vendosur që do ta bëjmë testimin se me kënd po hymë në shkollë dhe kjo s’bëhet brenda natës, por zhvillohet në disa shkolla me një mostër prej 2-3 mijë mësimdhënësve sepse duhet të dimë si e kemi gjendjen epidemiologjike. Nuk mjafton vetëm t’i çojmë fëmijët në shkollë, por duhet që aty të jenë të sigurt”.

“Jemi marrë vesh që shkolla të jetë institucion anti-COVID, jo vetëm për një javë apo dy, por duam të jemi të gatshëm për një përballje më të gjatë. Po bëjmë çmos që të fillojë mësimi në kushtet e pandemisë. Mësimi do të fillojë atëherë kur jemi të gatshëm të garantojmë jetën e mësimdhënësve, fëmijëve dhe prindërve dhe tërë komunitetit”.

Rexhaj në Edicion Special tha se pandemia ka krijuar rrethana të jashtëzakonshme dhe se dy javët që u shty mësimi nuk janë dy javë të zbrazëta kalendarike.

Po ashtu, ai tha se shkollat që nuk do t’i ndërmarrin të gjitha masat e urdhëruara nga Ministria e Arsimit do të mbajnë mësim online.

Ndërkaq, në plan është që mësimdhënësit më të shtyrë në moshë do t’i sigurohet zëvendësim dhe do t’u jepen detyra më të lehta apo do të lirohen nga ato për t’ia mbrojtur shëndetin derisa shkollave do t’iu shtohen më shumë mjekë, psikologë, pedagogë.

“Ne e vlerësojmë rregullisht situatën dhe do të vlerësojmë edhe pesë ditë para 14 shtatorit. shkolla është përgjegjësi thelbësore ndaj shtetit dhe popullit. Në momentin që ne jemi të sigurt brenda mundësive të Kosovës do të fillojmë mësimin dhe në këtë drejtim po i bëjmë përgatitjet që të fillojmë me 14 shtator”.