Rrëfehet pa lot babai që humbi dy djem: ‘I kisha tre, po Zoti deshi dhe m`i mori dy’

Arif Arifaj, babai i dy djemve që humbën jetën tragjikisht në Gjermani, ka rrëfyer për RTK-në momentet e vështira rreth ngjarjes.

“Si zakonisht, djemt cdo mëngjes zgjoheshin në ora 6:30 për të vazhduar rrugën për në shkollë. Aty ku është rruga e trenit, është edhe rruga për të kaluar automjetet.

Mendimi im është që trenin që e kanë pa, kanë mendu që është i ndalun dhe s’ka tjetër, mirëpo në atë moment ka ardhë treni për në anën tjetër dhe i ka marrë dy djemt e vogël, Hasanin dhe Blerianin. Hasani ishte 17 vjecar, kurse Bleriani 14 vjecar”, ka thënë ai.

Arifaj ka rrëfyer edhe momentin kur dëgjoi lajmin tragjik për djemtë e tij.

“Shoqja ime e ka pa rastin, se ka qenë afër me ta. Lajmin, së pari më ka thirrë djali, djali i dytë, hala 16 nuk i ka ba. Djali më ka thënë babi të lutem eja se Hasanin dhe Blerianin i ka zanë kerri. Ishte një shok për mua. Kam shpresu se ishin gjallë.

I lash celësat, vrapova me marrë kerrin por nuk e di as vetë si kam shku, ishin 18 km rrugë, i kam thirrë s’di sa herë po s’mu kanë përgjigjë, i kam vetë a janë hala gjallë, djali 16 vjec, u mundu me m’rujtë, ka thënë babi nuk ka kurgjë vec hajde, më kanë thirrë ambulancat, zjarrfikësit. Kur kam mbërri s’kam pa kurgjë, ka qenë totalisht e bllokume në tana antë. Kufomat nuk i kam pa fare. Kur kam shku kishte shumë njerëz”, ka thënë ai.

Arifaj i ka varrosur në Deçan trupat e djemve, edhe pse ata kanë lindur në Gjermani.