Rrëfime nga morgu: Dikush po i binte telefonit në dhomën e të vdekurve!

Ymer Ibishi “jeton” në shtëpinë e të vdekurve. Pjesën më të madhe të kohës, ai e kalon brenda mureve ku nuk frymon njeri tjetër pos tij. Nuk ndjehet keq mes të vdekurve.

“Është obligim moral që i gjalli të përkujdeset për të vdekurit”, thotë Ymeri, shkruan mediafokus.info

Ai është personi që ka pritur dhe përcjellë qindra trupa të pajetë nga Gjilani, Vitia, Kamenica e ndonjëherë edhe nga Presheva, të cilët kanë ndërruar jetë në spitalin e këtushëm, ku ndodh të vinë për shërbim, ose janë trupa që janë sjellë në vendlindje nga shtetet e jashtme, pasi kanë vdekur atje.

Si besimtar i madh, ai kujdeset që të vdekurit t`i respektojë edhe nga ana fetare.

“Qëllimi imi është që familjarëve t`ua zvogëlojë dhembjen sa më shumë që është e mundur, duke iu gjendur atyre pranë në momentet më të vështira, siç është vdekja e një anëtari ose një të afërmi”, thotë ai.

Banorë të kësaj shtëpie kanë qenë persona të moshës prej 5 ditë e deri në 93 vjeç, nga të gjitha nacionalitetet dhe besimet fetare.

Qëndrimi më i gjatë në morg ka qenë tri net. Në raste të tilla, zakonisht pritet ardhja e familjarëve nga bota e jashtme, sidomos kur janë larg, si në Australi, SHBA e gjetiu.

Përndryshe, thotë ai, kufomat nuk duhet të lihen shumë gjatë mbi dhe sipas traditës fetare.

Rrëfimet e tij nga jeta në morg, janë interesante, ndonjëherë edhe të frikshme. Nuk flitet njësoj, si për vdekjen, ashtu edhe për jetën.

Atij nuk i ka ndodhur që ndonjëri nga të vdekurit, të rikthehet në jetë, gjatë kohës sa punon në morg, por thotë se ndodh që trupat të pësojnë ndryshime në pamje, sidomos te rastet e infarktit.

Në botë njihen raste të rikthimit në jetë të personave të “vdekur”. Ibishi nuk ka pasur ndonjë përvojë të tillë, por ka pasur momente tjera interesante.

Atij i ka ndodhur që të dëgjojë zilen e telefonit në dhomën e të vdekurve. Për një moment, nuk e ka kuptuar se çka po ndodh dhe si është e mundur që nga “komora” të vije zilja e telefonit.

Kur është afruar te personi i vdekur, ka kuptuar se kishte në trup telefonin dhe me siguri po i telefononte dikush nga familjarët.

“Nuk e mora telefonin për ta hapur, sepse nuk doja t`i lajmërohesha dikujt të panjohur nga morgu i spitalit. Ndoshta, ai që telefononte, ende nuk e kishte marrë lajmin e hidhur”, thotë Ibishi./mediafokus.info