Rrëfimi i Bardhës: E varrosëm babën ashtu si nuk e ka meritua

“E varrosëm babën ashtu si nuk e ka meritua”

Koronavirusi po vazhdon të merr jetë çdo ditë. Këto vdekje po përcillen me dhimbje të mëdha nga familjarët, jo vetëm për faktin se po humbin të dashurit e tyre, kryesisht prindërit, por edhe për arsye që nuk po mund t`iu bëjnë atyre një përcjellje të dinjitetshme, si dhe të gjitha peripecitë që po i përjetojnë gjatë këtij procesi.

Bardha Leka, e cila ka humbur babanë, i ka ndarë përjetimet e saj me publikun, duke thënë se duhet ta kuptojnë të gjithë se si është me jetua dhe me vdekur në Kosovë.

Ky është rrëfimi i saj:

“Po filloj me tregu tmerrin e ditës kur me vdiq Baba. 12 gusht, ora 16:30 e mërkurë.

Sipas protokollit shtetëror, nuk guxuam me lëviz trupin e babës prej vendit ku ka ndërruar jetë. Nuk guxuam me ia la trupin, as me vesh me rroba të reja. S`na lanë me ia heq as rrobat që i bani ujë të lagëta nga vuajtjet që i shkaktoi sëmundja.

Mbet baba i shtrirë në dhomë i mbuluar veç me një çarçaf të hollë, duke prit me ardhë me marrë një ekipë speciale. Ekipi u vonua bukur shumë, 2 orë e tepër. As nuk u përshëndetëm me babë, as s`na lanë me ia ba adetet fetare qysh e ka meritue.

U nis baba me dy persona të panjohur për në morgun e qytetit. Në natën e tij ma të vështirë nuk qëndroi askush me të.

Tmerri vazhdon ditën e nesërme, më 13 gusht. Familjarët na dhanë lajmin që varrimi i babës bëhet në ora 17:00, pa prezencën e askujt, as të familjarëve.

Ne insistuam dhe nuk pranuam që Baba me u varros në atë mënyrë. Mbas 100 thirrjeve e intervenimeve me të njohshëm, na lejuan që familja dhe rrethi i ngushtë të marrim pjesë në varrim.

Gjithsesi u treguam tolerant e vendosëm që ta respektojmë ‘protokollin shtetëror’

U bë ora 16:00. Ne familjarët u bamë gati me përcjell babën për në banesën e fundit.

Në ora 17:00 ishin të gjithë tek varrezat duke prit me lot në sy t`i japim lamtumirën e fundit!

Dielli i asaj dite përvëlonte, e ne në atë vapë mbetëm duke prit me ardhe ajo ‘ekipa speciale’ me pru trupin e babës!!!

Vajti ora 17:30 dhe askush nuk bahet i gjallë. Filluam me telefonua në numrat që i kishim me pyet çka po ndodhe, pse u vonuan aq shumë. Si duket telefonatat nuk kryenin punë. Është dashtë vëllai dhe axha me shkua në morgun e qytetit dhe me pa çka po ndodhë.

Kur shkuan aty, morgu mbyllë!!! Fillojnë me thirre prapë me i sjell numrat e me kuptua çka po ndodhe. Dhe mbas 1 ore vjen personi përgjegjës dhe thotë që nuk ka trup në morg !!!!!

SubhanAllah, kësi shteti kemi ne që edhe të vdekurit në morg ju humbin. Ata pa të voglën mëshirë, luan me ndjenjat tona. Luanin me shpirtin e babës tem që atë natë mbet i strukur në një ngrirje të thellë edhe atë i vetmuar, pa asnjë njeri afër.

Gjithsesi mbetëm ne familja në varreza, duke na djeg i nxehti e bashkë me te nxehtin, dhimbja malli e mërzia. Kurse vëllau e xhaxhi duke luftue me forca të veta për me e gjet trupin e babës.

Pritëm deri sa ekipa që e mori Babën me gjet vendin ku e kanë lanë. Në ora 18:45 u gjet baba po në të njëjtin vend ku personi përgjegjës ishte i sigurt që nuk ka trup mbrenda.

E prunë Babën në arkivolin e ftoftë, nuk e pamë a e kanë pastru, a ia kanë largu ato rroba, a e kanë zbukuru për me dal para Allahut, ashtu si ishte pedant, i bukur dhe zotni.

E varrosëm babën e bashkë me te edhe një copë të zemrës tem e mbuloj dheu.

Ma ban Hallall Babush. Se ke meritu aspak me shku n’këtë mënyrë. Po kjo Kosove të ka borxh shumëçka.

E mua kur t’më vij dita me ardhe te ti Babë, e kur të dal para Allahut, do t`u kërkoj llogari të gjithë atyre që luajtën me trupin tënd e që neve dhimbjen e plagën na e banë edhe ma të thellë.

Allahu të shpërbleftë me gradën ma të lartë të Xhenetit inshallah”.